Cikël i ri i krizës së çmimeve? bizneset besojnë se çmimet do të vijojnë të rriten

Nga Marjo Brakaj
2 Shkurt 2026, 14:30 | Ekonomi

Bizneset në fushën e shërbimeve ku përfshihen baret dhe restorantet, ato të tregtisë që përbëhen kryesisht nga dyqanet dhe supermarketet, bashkë me ndërtimin, besojnë se çmimet do të vijojnë të rriten.

“Për sa kohë ka kërkesë, tashmë me flukset e shtuara të të huajve, detyrimisht kjo do të çojë në një tendencë për rritje të çmimeve”, thotë për A2 CNN Theodhor Kristuli, kreu i Unionit Agroushqimor Shqiptar.

Pritshmëritë e sipërmarrjeve për shtrenjtim të mëtejshëm të jetesës vijnë në një kohë që Banka e Shqipërisë deklaron se inflacioni do të mbetet në objektivin 3 për qind edhe këtë vit. Cikli i ri i krizës së çmimeve sipas ekspertëve kësaj here po vjen nga rritja e pagave. “Pronarët e bizneseve kanë në kurriz rritjen e pagave. Po u rrit 900 euro paga, rriten edhe sigurimet. Për të ruajtur marzhet e tyre të fitimit, ata do t’i transferojnë kostot shtesë te konsumatori”, thotë Kristuli.

Bizneset paralajmërojnë vijim të dhimbjes së kokës për konsumatorët, veçanërisht për produktet bazë ushqimore. “Në mungesë të subvencioneve nga shteti, kostot e prodhimit janë të larta. Bujqësia është tani edhe e braktisur nga IPARD rrjedhimisht çmimet e produkteve bujqësore mund të rriten”, thotë Kristuli.

Në këtë situatë, ndërsa bizneset përgatiten për kosto më të larta dhe rritje çmimesh, konsumatorët mbeten pala më e ekspozuar. Pavarësisht garancive të Bankës së Shqipërisë për stabilitet të inflacionit, shporta e përditshme rrezikon të vijojë të shtrenjtohet, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi buxhetet familjare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos