Nga pesimizmi në optimizëm, qytetarët dhe sipërmarrësit mendojnë se ekonomia po shkon mirë

Nga Marjo Brakaj
2 Shkurt 2026, 14:24 | Ekonomi

Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë mendojnë se ekonomia po shkon mirë. Pas mbylljes në pesimizëm të 2025-s, fillim-viti 2026 ka rikthyer optimizimin në vend. Në janar, treguesi i ndjesisë ekonomike që mat aftësinë e bizneseve për të kryer investime dhe konsumatorëve për të shpenzuar u rrit me plotë 4.2 pikë.

“Më së pari duhet të sqarojmë se këto sondazhe janë të tilla që fotografojnë situatën ku bëhen. Unë mendoj se janë optimiste për shkak të sezonalitetit. Por unë nuk mendoj se është tregues i një optimizimi që do të zgjasë në afatgjatë”, thotë për A2 CNN Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.

Në pyetësorin e përmuajshëm që Banka e Shqipërisë bën, treguesi i besimit konsumator vijoi për të dytin muaj të shfaqte pasiguri, duke mbetur i pandryshuar.

“Po ashtu siç situata është. Herë qetësohet e herë çmimet rriten. Pagat janë të ulëta, pensionet po ashtu. Këta premtojnë rritej por ne nuk shohim gjë”, thonë qytetarët.

Të kënaqur nga situata aktuale nga njëra anë dhe pritshmëritë për edhe më shumë shitje në vijim nga tjetra, bizneset në fushën e industrisë, ndërtimit, tregtisë dhe shërbimeve shfaqën shenja optimzimi muajin e shkuar.

“Ka pritshmëri pozitive për shkak të turizmit. Sot popullsia vendase ka shkuar drejt tkurrjes. E vetmja shpresë janë të huajt si për shërbimet,. tregtinë, industrinë apo turizmin”, thotë Gjokutaj.

Sipërmarrjet në vend shohin ndërkohë me shqetësim gjetjen e fuqisë punëtore, problematikë kjo që po thellohet nga viti në vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos