“Grant Performance” për bashkitë, do të shpërndahen 200 mln lekë në bazë të punës që do të bëjnë

Nga Marjo Brakaj
28 Janar 2026, 15:01 | Ekonomi

“Grant Performance” për bashkitë, do të

Formula me anë të së cilës qeveria po u shpërndan paratë bashkive këtë vit ka ndryshuar. E reja është “granti i performancës”. 61 bashkive do t’u jepen 200 milionë lekë në bazë të ecurisë së punës që do të bëjnë.

“Kjo është e rëndësishme jo vetëm për faktin se është një shumë financiare që do të shkojë te bashkitë, por nxit bashkitë për përmirësimin e shërbimeve pasi granti i performancës do të jepet në bazë të ecurisë që bashkitë do të kenë, në drejtim të përmirësimit të shërbimit që bashkitë do të kenë ndaj qytetarëve”, thotë për A2, Adelina Farrici, Drejtoreshë, Shoqata për Autonominë Vendore.

Shuma e parave që do të marrin njësitë e pushtetit vendor do të varet kryesisht nga numri i popullsisë, në masën 80 për qind. Më pas renditet dendësia në masën 15 për qind dhe numri i nxënësve me 5 për qind.

“Ne si pushtet vendor mendojmë se ka nevojë për disa rregullime në atë formulë mbështetur edhe në atë që ka bashki që kanë një territor shumë të madh,  por një numër popullsie të vogël. Po ashtu edhe numri i nxënësve në këto bashki mund të jetë i vogël. Kështu që mendoj se ka bashki që duhet të kompensohen për ofrimin e shërbimeve në gjithë territorin e tyre”, thotë Farrici.

Drejtoresha e Shoqatë për Autonominë Vendore, Adelina Farrici tregon edhe bashkitë që duhet të marrin më shumë para, pavarësisht numrit të popullsisë. “Bashkia e Pustecit, bashkia e Klosit, bashkia e Hasit apo Konsizpolit, megjithëse kjo e fundit ka të ardhura të veta të mira. Duhet bërë një analizë mbi bashkitë që duhet të marrin më shumë mbështetje”, thotë Farrici.

Për pagat e punonjësve, mirëmbajtur rrugët, ndërtuar çerdhe e kopshte apo të tjera nevoja, 61 bashkitë kanë në dispozicion 97.7 miliardë lekë nga 90 miliardë lekë gjatës 2025-s. Qeveria do u japë pak më shumë se 46 miliardë lekë njësive të pushtetit vendor, ndërsa pjesën tjetër duhet ta sigurojnë vetë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos