Turizmi do të ketë më pak para në dispozicion për vitin e ardhshëm. Nga mbi 1 miliardë lekë këtë vit, buxheti për sektorin që është kthyer në motorin kryesor të rritjes ekonomike të vendit reduktohet në 919 milionë lekë. Tkurra përllogaritet në 88.9 milionë lekë apo 8.8 për qind.

Kjo në një kohë që sektori ka nevojë më shumë se kurrë për para për të zgjidhur problemet e vjetra në sezonin e ri.
“Ulja e fondeve vjen në një moment të ndjeshëm për sektorin. Turizmi është rritur me ritme të shpejta dhe sfidat po shtohen. Kjo tkurrje buxheti rrezikon që një pjesë e problemeve të akumuluara ndër vite të mos adresohen dot para sezonit të ardhshëm”, thotë për A2 CNN Ferjold Ozuni, pedagog, ekspert për turizmin.
Pjesa më e madhe e parave, mbi 654 milionë lekë do të shpenzohen për pagat e punonjësve, energjinë, ujin apo nevoja të tjera për shërbime që institucioni do të ketë. Pjesa tjetër e parave shkojnë për projekte në fushën e turizmit, si dhe investime.


“Kur më shumë se gjysma e buxhetit shkon për shpenzime korrente, hapësira për projekte zhvillimi dhe investime mbetet shumë e kufizuar. Nevojiten fonde reale për infrastrukturë turistike, për menaxhim destinacionesh dhe për standarde më të larta shërbimi”, thotë Ozuni.
Me ndryshimet e ndodhura në fillim të shtatorit nga kryeministri Edi Rama, turizmi tashmë do të jetë i ndarë nga mjedisi, duke u bashkuar kështu me Sportin dhe Kulturën.

“Riorganizimi i ministrisë mund të sjellë mundësi të reja, por vetëm nëse turizmi mbetet prioritet i qartë brenda kësaj strukture të zgjeruar. Bashkimi me kulturën dhe sportin duhet të shoqërohet me politika të koordinuara dhe me buxhet të mjaftueshëm për të mos humbur fokusin te zhvillimi i sektorit”, thotë Ozuni.
Për vitin 2026, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka shpallur si përparësi të promovojë Shqipërinë si një destinacion gjithëvjetor, të zhvillojë ofertën me produkte autoktone, duke i promovuar këto të fundit në panaire ndërkombëtare. (A2 Televizion)
