Në emër të çdo shqiptari, pavarësisht nëse jeton në veri a jug, fshat apo qytet, vitin e ardhshëm do të shpenzohen mesatarisht 343 mijë lekë. Pas maratonës së diskutimeve në komisionet, projektbuxheti dhe paketa fiskale me 8 projektligje dhe 72 ndryshime ligjore që shoqëron atë mori “dritën jeshile” në parim edhe në Parlament.
“Projektbuxheti 2026 mbështete mbi katër shtylla kryesore. E para është mbrojtja sociale E dyta është integrimi Europain. Shtylla e tretë është rritja ekonomike e qëndrueshme. E katërta është konsolidimi fiskal”, tha Petrit Malaj, ministër i Financave.
Për pagat, pensionet, ndërtuar rrugë, shkolla e ujësjellës, menaxhuar mbetjet apo për t’u mbrojtur nga zjarret e përmbytjet është planifikuar një buxhet prej gati 887 miliardë lekë. Ai është mbi 64 miliardë lekë apo 7.8 për qind se sa buxheti i vitit 2025 dhe gati 2-fish i madh se në vitin 2014.
“Projektbuxheti 2026, është kontrata e qeverisë me qytetarët, përmes së cilës synohet dhe do të garantohet rritja e mëtejshme e standardit të jetesës të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Malaj.
Pas 2 muajve mungesë, për t’i dhënë rëndësinë e duhur buxhetit mbi 9 miliardë euro, më të madhit në historinë e vendit... seancës maratonë iu bashkua edhe kryeministri Edi Rama. Por prania e tij nuk u mirëprit nga demokratët. Pa Sali Berishën e pezulluar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit e që në ato momente gjendej në dyert e SPAK për “21 Janarin”, demokratët i kthen shpinën Ramës.
“Dhe të ankoheni për ligjin dhe të më ktheni mua kurrizin sikur nuk shkon, megjithatë faleminderit për këtë lehtësim që i bëni fjalimit tim se më mirë shpina se fytyra juaj”, tha Rama.
Një në tre lekë që do të shpenzohen vitin e ardhshëm do të shkojnë për “mbrojtjen sociale”. Nga rreth 9 miliardë euro në total që përllogaritet buxheti i vitit 2026, rreth 3 miliardë euro do të shkojnë për kategori të cilat kanë nevojë për “dorën e shtetit”. Kjo për Edi Ramën është shenjë e “fjalës së mbajtur”.
“Ky është një buxhet historik. Për herë të parë adreson në mënyrë të qëndrueshme përmes një angazhimi financiar afatmesëm prej 1.7 mld eurosh rritjen e mbështetjes së pensionistëve. E mira e kësaj pune është se fjalët i merr era, faktet mbeten”, u shpreh Rama.
Me Edi Ramën që e mbylli fjalën e tij dhe u largua nga seanca me urimin "Kështu me faqe për muri ju pafsha gjithmonë”, demokratët akuzuan se projektbuxheti de paketa fiskale e vitit të ardhshëm nuk kanë në epiqendër qytetarët në përgjithësi por vetëm një grusht njerëzish në veçanti.
“Qeveria shqiptare, e majtë në fakt, në vitin e 13-të të mandatit të saj nuk siguron dot një minimum jetik për qytetarët. Ky Parlament ka detyrimin që ta miratojë”, tha Jorida Tabaku.
“Ndërsa 50 miliarderëve në vend u falni 2 miliardë euro detyrime, pensionistëve po bëni sikur po u rrisni pensionin, duke u dhënë 100 mijë lekëshin që është dhënë gjithmonë si bonus në fundvit”, u shpreh Gazment Bardhi.
Para se të merrnin një përgjigje të karakterit ekonomik nga Ministri i Financave Petrit Malaj, deputetëve demokratë iu përgjigj politikisht kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla.
“Pa humbur kohë, ju lutem ta votojmë kërkesën për t’ju bashkuar debatit të buxhetit. Këtë ju kam thënë në konferencën e kryetarëve. Seriozisti i forcës suaj politike sikurse u konsolidua me 300 petrita në bulevardin dëshmorët e kombit”, tha Balla.
Akuzës së Gazment Bardhit për nismën e “Paqes me Biznesin”, pjesë e paketës fiskale 2026 e cila fal mbi 1 miliardë euro detyrime të prapambetura të sipërmarrjeve iu përgjigj edhe kreu i “Financave”, shkruan A2 CNN.
“Borxhi i krijuar përpara 2014-ës është 100 miliardë lekë, pra që prej viteve 90’ deri në 2014-ën. Ndërsa në fund të 2024-ës borxhi ka arritur deri në 160 miliardë lekë. Do të përfitojnë 202 mijë tatimpagues të cilët rezultojnë me borxhe”, u shpreh Malaj.
Ndërkohë buxheti për 61 bashkitë në vend planifikohet në gati 907.7 miliardë lekë nga 90 miliardë lekë gjatës 2025-s. Në raport edhe me numrin e popullsisë, Tirana është bashkia që do të marrë më shumë para, mbi 6.5 miliardë lekë, ndjekur nga Durrësi me 2.5 miliardë, Elbasani 1.8 dhe Shkodra 1.7 miliardë lekë. Demokratët Luciano Boçi dhe Agron Gjekmarkaj, njëri deputet në Shkodër e tjetri në Lezhë akuzuan se buxheti i vitit të ardhshëm diskriminon bashkitë e veriut, u shkruan A2 CNN.
Pas dy ndërprerjeve seanca e nisur që në orën 10 të mëngjesit vijoi punimet. Niko Peleshi ja pasoi stafetën për disa orë nënkryetares Klodiana Spahiu, ndërsa deputetetët opozitarë vijuan seanacën e pyetjeve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është institucioni që do të marrë më shumë para, mbi 82.5 miliardë lekë, ndjekur nga Infrastruktura dhe Energjia dhe Arsimi Rinisa dhe Sporti me respektivisht 77.2 dhe 64.8 miliardë lekë. Ministrat parashtruan edhe përparësitë e tyre për vitin e ardhshëm .
Çdo fund viti, pyetjet më të mëdha që ngrihen mbi‘ Buxhetin e Shtetit’, janë se ku do të shkojnë taksat, çfarë projektesh të reja do hapen, a do rriten rrogat apo pensione? Buxheti është dokumenti më i rëndësishëm publik i vendit, që projekton objektivat e zhvillimit në plane vjetore shpenzimi bazuar në të ardhurat që pritet të mblidhen nga bizneset dhe individët. Me socilialistët i dhanë “dritën jeshile” në parim, projektbuxheti do të kalojë për shqyrtim nen për nen dhe në tërësi më 11 dhjetor. (A2 Televizion)
