Nga Tirana te zonat e thella, harta e ndërtimeve pa leje që presin legalizimin

Nga Marjo Brakaj
5 Gusht 2026, 18:41 | Ekonomi

Qasje e re në katër drejtime, duke iu dhënë më shumë fuqi bashkive në territorin e tyre. Është kjo formula e re që propozohet të përdoret prej vjeshtës, për t’i dhënë një tjetër hov procesit të legalizimeve të ndërtimeve në vend. Janë 237 mijë e 884 prona, pjesa më e madhe banesa, ndjekur nga njësitë socio-ekonomike dhe ato të kombinuara që pritet të marrin një certifikatë.

“Ligji i legalizimeve është përdorur si një kalë beteje në fushata elektorale. Ideja e marrjes së një certifikate e leje legalizim i është tundur votuesit shqiptar para syve siç gjuetari përdor karremin për prenë e tij”, thotë për A2 CNN Myrshit Vorpsi, kryetar i shoqatës, “Pronësi me Drejtësi”.

Dokumenti është në fazën përfundimtare të përgatitjes për të nisur konsultimin publik. Tirana është bashkia me numrin më të madh të pronave në proces legalizimi, ndjekur nga Shkodra, Durrësi, Kamza dhe Vola. Ndërkohë, Hasi, Libohova, Pusteci, Këlcyra dhe Skrapari janë bashkitë me numrin më të ulët.

“Thelbi i kësaj marrëveshje dhe këtij vendimi të qeverisë janë zonat urbane të cilat kanë një prioritet të jashtëzakonshëm zhvillimi”, thotë Vorpsi.

Me qëllim përshpejtimin dhe përmbylljen e procesit edhe para vitit 2028 siç ligji përcakton, në bashki do të ngrihen zyra të posaçme me punonjës të specializuar që do të ndihmojnë qytetarët. Procesi pritet të shoqërohet me kosto të mëdha për buxhetin e shtetit.

“Nëse themi dhe pranojmë se vetëm 1/3 që kanë titull pronësie që do të shpronësohen për efekt legalizmi  se të tjerët mund të jenë tokë-shtet.. I thonë një sipërfaqe prej 4000 ha. Për 339 ha që kanë dalë vendimet e qeverisë, fatura financiare e është 40 miliardë lekë. Po për 4 mijë ha? Një pikëpyetje e madhe”, thotë Vorpsi.

Procesi i legalizimeve të ndërtimeve nisi në vitin 2006 dhe prej atëherë kanë marrë certifikatën e pronësisë rreth 250 mijë familje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos