Rritja e pensioneve nuk do të jetë më në të njëjtën masë për të gjithë. Për herë të parë, nga viti i ardhshëm, indeksimi nuk do të jetë uniform, por do të bazohet në nivelin e përfitimit që pensionistët apo kategoritë e tjera përfituese marrin çdo muaj.
“Modeli i indeksimit synon që rritja e pensioneve të mos jetë më uniforme për të gjitha kategoritë, por të marrë parasysh nivelin e përfitimit dhe nevojat e pensionistëve me të ardhura më të ulëta.”
Ndryshime pritet të ketë edhe në moshën e daljes në pension. Me reformën e vitit 2014, për gratë u vendos rritja graduale e moshës së pensionit me 2-3 muaj çdo vit, duke arritur aktualisht në rreth 62 vjeç.
Por, sipas dokumentit të ri, skema parashikon që reforma të përfundojë në vitin 2040, ku si gratë ashtu edhe burrat do të dalin në pension në moshën 67-vjeçare.
“Ecuria e moshës së daljes në pension do të vijojë të ndikohet nga ndryshimet demografike dhe rritja e jetëgjatësisë. Për gratë, procesi i rritjes graduale të moshës së pensionit ka nisur dhe objektivi afatgjatë është harmonizimi i moshës së daljes në pension për të dyja gjinitë në 67 vjeç.”
Bazuar në një përllogaritje mbi përgjigjet e pensionistëve, një çifti të moshuarish i nevojiten të paktën 48 mijë lekë në muaj për të përballuar shpenzimet bazë. Nga ana tjetër, një çift pensionistësh që jeton në qytet merr mesatarisht 31 mijë e 464 lekë në muaj.
Pra, për të jetuar me dinjitet gjatë pleqërisë, një çifti të moshuarish i mungojnë të paktën 16 mijë e 563 lekë në muaj.
“Analiza e nivelit të jetesës së pensionistëve tregon se të ardhurat nga skema publike, në shumë raste, nuk përputhen me kostot reale të jetesës. Për këtë arsye, reforma synon rritjen e mbrojtjes sociale dhe përmirësimin e mirëqenies së të moshuarve.”
Në mungesë të të ardhurave të mjaftueshme, një mbështetje e rëndësishme për pensionistët vjen kryesisht nga fëmijët dhe të afërmit që jetojnë jashtë vendit, në vende si Greqia, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca apo Belgjika. Mesatarisht, çdo familje shqiptare ka përfituar rreth 2 mijë euro remitanca gjatë vitit të kaluar. (A2 Televizion)