Qeveria do të monitorojë, por nuk do të ndërhyjë te çmimet e karburanteve. Ndryshe nga sa ndodhi 4 vite më pas krizës së shkaktuar nga mësymja ruse në Ukrainë, për menaxhimin e situatës së krijuar nga tensionet në Lindjen e Mesme nuk do të ngrihet një Bord Transparence.
“Kemi diskutuar për detyrimin që kanë për rezervat. Jemi duke monitoruara, qoftë çmimet e brisës për naftën, benzinën dhe gazin, qoftë çmimin me të cilin karburanti del nga dogana, me çmimin e tabelave që shkon për tregtim. Gjatë krizës 2022-2023, kur çmimet u rritën, kemi pasur një bord transparence që monitoronte dhe vendoste për çmimet e shitjes. Gjykojmë që situata nuk është në nivelin e ngritjes së bordit, nëse do ketë rritje të mëtejshme do të futemi në atë regjim”, tha ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, përcjell A2 CNN.
Pavarësisht se Shqipëria është vendi i parë në Rajon, i shtatë në Evropë dhe i dhjetë në botë për çmimin më të lartë të naftës, qeveria nuk do të ndërhyjë në drejtim të uljes së taksave dhe tarifave me qëllim uljen e çmimit të karburanteve. “Sa i përket politikës fiskale për karburantet, aktualisht nuk është në diskutim ndryshimi i nivelit të taksave apo tarifave. Çmimi në treg lidhet kryesisht me zhvillimet në bursat ndërkombëtare dhe me koston e importit. Për këtë arsye, fokusi ynë mbetet te monitorimi i tregut dhe garantimi që operatorët të respektojnë rregullat e konkurrencës dhe të mos ketë deformime të çmimeve për konsumatorët”, shtoi Ibrahimaj.
Ndërkohë bashkë me karburantet, institucionet do të monitorojnë e produktet e konsumit me qëllim parandalimin e abuzimeve me këto të fundit. “Ne do të marrim çmimet dhe do shohim se me çfarë çmimi zhdoganojnë çdo ditë çmimet e tregut. Ky monitorim do të bëhet për të kuptuar se si vijojnë marzhet Ne nuk mund të ndërhyjmë në çmimet e bursës, por ajo që mund të bëjmë nëse ka abuzime apo spekulime me çmimet kjo është ajo që ne do të ndjekim me bazë ditore”, tha ajo.
Nëse konfliktet në Lindjen e Mesme do të vazhdojnë të përshkallëzohen, ekonomia mund të përballet me një skenar të ngjashëm me atë të katër viteve më parë, kur inflacioni në vend arriti në mbi 8 për qind gjatë luftës Rusi-Ukrainë. Marsi pritet të shërbejë si një pikë e rëndësishme matjeje për ecurinë e çmimeve. (A2 Televizion)