Sezoni i afërt veror për qarkun e Vlorës pritet të jetë përtej pritshmërive e madje edhe mbi kapacitetet maksimale që ka ky qark për të akomoduar turistët vendas dhe të huaj. Kjo panoramë është e shtrirë thuajse në të gjithë hotelet nga Vlora deri në Sarandë.
“Unë mund t'ju them që jemi mangët sektorin e akomodimit. Pra nuk do të kemi mundësi të plotësojmë të gjitha kërkesat afatgjate nga të gjithë operatorët turistikë”, thotë për A2 CNN Vasil Bedinaj, kryetar i OTJ. “Por shpresojmë që në vitet në vijim ta kapim atë numër që na kërkohet dhe të jemi më mirë se sa do të jemi këtë vit. Vlora ka qenë epiqendra e kërkesave, mund ta them për gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë. Nga Vlora deri në Sarandë hotelet më të mëdha janë prenotuar dhe kanë nënshkruar kontrata dypalëshe tashmë”.
Sipas Bedinajt, situata konfliktuale në Lindjen e Mesme ku ka përfshirë thuajse gjithë rajonin, favorizon një fluks më të lartë turistësh në vendin tonë. Por për këtë, Bedinaj apelon që bashkia duhet të marrë masat e nevojshme që në muajin mars, kur pritet që të vijnë edhe grupet e para dhe ajo që mbetet më kryesorja është hapja e aeroportit të Vlorës, funksionaliteti i të cilit kushtëzon një pjesë të konsiderueshme të kontratave.
“Ajo që vlen për t'u theksuar është që kemi shumë punë akoma për të bërë në këtë qytet. Të gjithë i dimë dhe institucionet lokale e dinë këtë gjë dhe shpresoj dhe uroj që brenda muajit mars të mbyllen sa më shumë prej tyre”, thotë ai.
“Nuk duhet të harrojmë që turizmi në Vlorë nuk hapet më në muajin qershor, por hapet që në fund të muajit mars. Prenotime kemi, por kemi shumë prenotime që janë “pending”, që varen totalisht nga aeroporti. Pra, ne kemi shkuar kontrata që në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe këto kontrata kanë qenë me aeroport. Në rast se nuk do të kemi aeroport atëherë kontrata bie”.
Gjatë sezonit veror të vitit të kaluar qarku i Vlorës është vizituar nga më shumë se 1 milion turistë, kryesisht të huaj. (A2 Televizion)