
Mbi 58,600 fermerë në gjithë vendin janë mbështetur deri më sot në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025, me një vlerë totale prej 2,23 miliardë lekësh, ndërkohë që pagesat vazhdojnë për përfituesit e tjerë.
Skema ofron mbështetje për tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta), bletarinë, fara, fidanë dhe inpute të tjera, bimët mjekësore dhe aromatike, fermat organike, certifikimin Global Gap, si dhe mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) nënvizon se programi synon të forcojë mbështetjen për fermerët dhe të avancojë zhvillimin rural në të gjithë vendin.
Skemat e mbështetjes përbëjnë mundësi reale për të modernizuar bujqësinë shqiptare, për të rritur prodhimin vendas dhe për të nxitur vetëpunësimin në zonat rurale, shkruan A2 CNN.
Këtë vit Skemës Kombëtare të Investimeve 2025 me vlerë 20 milionë euro, i janë shtuar edhe dy instrumente financimi për investime që janë kredia e buta dhe garancia sovrane. (A2 Televizion)
