
Është vendi më bujqësor në Europë, i dyti për nga burimet hidrike pas Norvegjisë, me naftë të bollshme në nëntokë e klimë të dëshiruar nga shumëkush, po që ka varësinë më të lartë nga importi. Me një model ekonomik që më shumë i ngjan një “pazëlli” që duket se po vonon të marrë formën e duhur, me kafenetë e fast-food-et si bizneset më të përhapura, vendi përherë e më shumë varet dhe në drejtime të tjera, si dërgesat e emigrantëve dhe investimet e huaja.
“Një vend zhvillohet duhet zhvilluar pasuritë e veta. Të gjitha luftërat historikisht janë bërë për tokën, ne e lejmë tokën pa punuar. Në vend që të eksportojmë fuqi punëtore, duhet të shfrytëzojmë pasuritë mbi dhe nën tokë që të rritemi”, thotë për A2 CNN Maksim Caslli, CEO i American Capital.
Për shkak edhe të lënies së tokës “djerrë”, si pasojë edhe e braktisjes nga njerëzit, Shqipëria shiti një dhe bleu tre produkte ushqimore në harkun e muajve janar-tetor. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se u eksportuan pak më shumë se 46 miliardë lekë fruta, perime dhe produkte të tjera për konsum. Në të njëjtin hark kohor u importuan nga jashtë mbi 135 miliardë lekë ushqime.
“Kur themi pavarësi ekonomike duhet që ato nevojat primare, kryesore të shoqërisë ti, në një përqindje të lartë duhet t’i zhvillosh në vendin tënd siç ndodhi kriza e grurit pas luftës në Ukrainë”, thotë Cassli.
Pas më shumë se 30 vitesh tranzicion, ekonomia shqiptare po rezulton e paaftë për të përmirësuar e aq më pak për të ndryshuar veten, duke vijuar të jetë e brishtë përballë thuajse çdo krize qoftë mijëra kilometra larg. “Kjo kërkon që të bëhet diversifikimi i ekonomisë. Nëse nga një krizë e caktuar preket një pjesë e caktuar e ekonomisë, ku kemi diversifikim, atëherë aftësia për t’u mbrojtur është më e madhe”, thotë Caslli.
Turqia është ndër vendet me varësinë më të lartë nga importi për Shqipërinë, pasuria nga Italia dhe Kina. (A2 Televizion)