Norma bazë e interest mbetet 2.75%, Gent Sejko: Zhvillimet gjeopolitike rrezik për ekonominë

Nga Marjo Brakaj
5 Shkurt 2025, 16:24 | Ekonomi

Kushtet nuk janë pjekur për të zbutur më tej politikën monetare. Banka e Shqipërisë vendosi të mbajte të pandryshuar, në nivelin 2.75 për qind normën bazë të interesit për lekun.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në të ardhmen. Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit”, tha Gent Sejko, guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Teksa argumentoi se ekonomia shqiptare do të vijë në rritje, e nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit dhe investimeve, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tregoi edhe se ku do të ndërhyhet për të ulur normat e interesit.

“Perspektiva e zhvillimeve ekonomike në të ardhmen mbetet pozitive. Ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme në afatin e mesëm, ndërkohë që inflacioni do të kthehet në objektivin tonë prej 3% gjatë vitit 2025. Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është ende i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.”

Teksa tregoi se Banka e Shqipërisë tërhoqi 1 miliardë euro nga tregu valutor vitin e shkuar për të frenuar disi “rrokullisjen e euros”, guvernatori Sejko shpjegoi edhe forcimin e lekut javën e shkuar.

“Ditët  e fundit këtu mund të ketë ndikuar edhe rritja e shpenzimeve të qeverisë shqiptare në tregun valutor. Por sigurisht ka një korrektim. Kursi i këmbimit e kemi theksuar vazhdimisht është si pasojë e kërkesës dhe ofertës. Pa bërë analizë të mëtejshme në kursin e këmbimit unë do thosha që Banka e Shqipërisë ndërhyn në tregun valutor sipas kërkesave ligjore dhe rregullatorë."

Sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore, rreziku kryesor që i kanoset  ekonomisë së Shqipërisë janë zhvillimet gjeopolitike. Guvernatori Sejko argumentoi se pasiguria në lidhje me politikat tregtare dhe ekonomike që po ndiqen nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump mund të ketë ndikime të rëndësishme për ekonominë globale në përgjithësi dhe atë evropiane në veçanti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos