Deklarata e kryeministrit Edi Rama për rritjen e pensioneve për ekspertin Kujtim Hoxha është një mashtrim i radhës. Në një intervistë me Bruna Çifligun në Puls në A2 CNN, ai shpjegoi arsyetimin e tij, duke theksuar se rritja prej 600-1800 lekë e pensioneve, nuk është as indeksim dhe as rritje por është shpërndarja e bonusit të fundvitit.
“Hap pozitiv vetëm që e ka futur bonusin në projektligj. Për sa i përket standardeve që pretendon kryeministri duke shtuar nga fillimi i vitit 2026 e në vijim t’u japë një bonus. Është bonusi i barabartë me atë që merret në fundvit, por ai shpërndahet gjatë gjithë vitit. Pensionistët përfitojnë 1/12-ën e bonusit që marrin sot, nuk marrin dot më shumë. Dhe të thuash që pensionistët do marrin nga 6 mijë - 18 mijë lekë të vjetra çdo muaj kjo e shkallëzuar sipas grupeve të caktuara e llojit të pensionit; pleqërie, familjar apo invaliditeti, është për të ardhur keq që mashtrohen njerëzit duke u dhënë nga 6 mijë lekë pensionistëve invalidë, krahas pensionit në formën e bonusit që ta kenë të përhershëm. Ky është mashtrimi i radhës ka vënë në garë edhe ekspertë për të bërë këtë tymnajë dhe pështjelluar mendjet e njerëzve. Kjo 6-18 mijë lekë të vjetra nuk është pjesë e pensionit se nuk është me të ardhurat e ISSH, po me të ardhurat kombëtare dhe këtu bëhet shpërndarja. 100 milionë lekë për vitin 2026 kjo nuk do rritet në mënyrë progresive. Nuk do rritet çdo muaj”, tha Hoxha në Puls me Bruna Çifligun.
Në A2 CNN, eksperti Hoxha tha se kjo shumë nuk i ndihmon pensionistët, teksa i drejton një pyetje kryeministrit Rama për minimumin jetik.
“Ky është problemi sepse me këtë reformë në të ardhurat e pensionistëve kryeministri ynë nuk arriti të krijojë një skemë e t’u japë shpresë pensionistëve, sepse nuk bën asgjë me 6 mijë lekë apo 18 mijë kur qytetarët kur dalin në treg shohin që me këto para nuk mbushin dot një qese me produkte në treg apo të marrin një shërbim mjekësor. Nëse do ta kisha drejtpërdrejt kryeministrin, do t’i thosha kur do ta nxjerrësh minimumin jetik që shtresat në nevojë të ndjejnë se mbrohen nga dikush. Kjo është detyrë e qeverisë”.
Sipas tij, kreu i qeverisë nuk e njeh skemën e sigurimeve shëndetësore dhe nuk konsultohet me ekspertët e duhur.
“Unë dal në konkluzion se kreu i qeverisë nuk e njeh skemën e sigurimeve shoqërie. Ka njerëz që nuk i thonë të vërtetën, ose nuk e dinë as ata, nuk ulet në tavolinë me specialistët që të ndikojnë me dinjitet në zgjidhjen e problemeve akute. Aktualisht kjo skemë ka nene të caktuara që e demotivojnë qytetarin. Nuk është i prirur qytetari për të derdhur me pagë reale”.
(A2 Televizion)
