Jetojmë në epokën e mendjes, ideve, atyre të thjeshta në dukje, por revolucionarizuese në përmbajtje. Ide, që vijnë edhe nga mendjet e të rinjve, por që shpesh mbeten në letër për shkak të klimës së ashpër të një biznesi me vizion të ngushtë. Ato pak që ja dalin, pas shumë sakrificash, mund të konsiderohen ngjarje shumë të rralla. Për të pasur sa më shumë “ide të mbijetuara”, veç fondit shtetëror, të rinjve do iu vihet në ndihmë edhe me një fond të dedikuar për start up nga Finlanda nëpërmjet nismës Slush'D.
“Është një iniciativë që vjen për herë të parë me dëshirën dhe suportin e madh për t‘i dhënë pak progres “Start-Up”, Shqipërisë në këtë drejtim. Jemi të gatshëm t’i suportojmë dhe t’i mbulojmë me investime. Mund të aplikojnë të gjithë të rinjtë që kanë një ide inovative. Ndoshta jo thjesht në fazën fillestare të një ideje, por duke filluar nga 6 muaj e deri në 3 vjet që quhet një “Start up”, shprehet Boralda Minaj, lehtësuese për sipërmarrjet “Start-Up”, shkruan A2 CNN.
Boralda Minaj, e reja që u zhvendos rreth tre vite më parë nga Shqipëria drejt Helsinkit të Finlandës tregon edhe se si do të funksionojë procesi për mbështetjen e ideve novatore.
“Aplikuesit do të përzgjidhen të gjithë nëpërmjet “website. Do të bëjnë aplikimin dhe ne do t’i përzgjedhim. Do të ketë një përzgjedhje prej 50 aplikantësh të cilët do të trajnohen nga Finlanda dhe për të tërhequr vëmendjen e investitorëve të huaj, për të investuar në start up shqiptare”, tha Minaj në A2 CNN.
Ndonëse Shqipëria karakterizohet nga një mjedis i vështirë për arritje te tilla gjendet mundësia për të shndërruar idetë në risi. Ideja triumfuese, përveçse e veçantë po konsiderohet edhe si e domosdoshme.
“Inovacioni konsiderohet si themeli i progresit dhe si i tillë nuk është vetëm dëshira, por është domosdoshmëri për të pasur një ekonomi konkurruese dhe të shëndetshme dhe si e tillë nevojitet një qasje e të gjithë aktorëve të përfshirë në inovacion dhe përtej tij”, u shpreh Sokol Duma, zëvendësministër i MEKI, shkruan A2.
Mungesa e financimeve është arsyeja kryesore që shumë të ri citojnë si penguese të zhvillimit materializimit të ideve në drejtim të teknologjisë. Nevojën emergjente për të vlerësuar njerëzit dhe idetë e tyre si kapital të çmuar, e vuri së fundmi në dukje edhe Forumi Ekonomik Botëror që u kërkoj qeverive të vendosin individin dhe teknologjinë në qendër të politikave të tyre. (A2 Televizion)