“Paraja rrëfen, 100 vjet jetë dhe ngjarje”, hapet në Prishtinë ekspozita historike e Bankës së Shqipërisë

Nga Mario Brakaj
17 Shkurt 2026, 13:47 | Ekonomi

“Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”- ekspozita historike e Bankës së Shqipërisë është zhvendosur në Prishtinë në këtë 18-vjetor pavarësi për Kosovën. Nga Naim Frashëri e Ismail Qemali të Pjetër Bogdani apo Mbreti Gent... me Skënderben dhe Asdrenin... gjashtë kartëmonedhat dhe 7 monedhat me kurs ligjor... bashkë me ato dhjetëra-qindra të përdorura në një shekull u ekspozuan në shtetin tjetër shqipfolës. 

Guvernatori i BSH Gent Sejko tha: “Në këtë rrëfim, një theks i veçantë vihet mbi fillesat e shtetit modern shqiptar. Nëntori i vitit 1912 solli Pavarësinë dhe simbolet që na bashkojnë. Kujtojmë këtu vizionin e Ismail Qemal Vlorës për krijimin e një banke qendrore shqiptare si një “qelizë bazë” për rimëkëmbjen ekonomike dhe ndërtimin e shtetit të pavarur shqiptar, një vizion që shërbeu si një orientim i qartë për rrugën që do të ndiqnim më pas.”

Përmes kësaj ekspozite, Banka e Shqipërisë synon që historia të mos mbetet vetëm për t’u parë, por edhe për t’u kuptuar dhe përjetuar, si një mjet edukimi dhe ndërgjegjësimi financiar. Në një kohë kur vendimmarrja financiare bëhet gjithnjë e më komplekse dhe teknologjia po transformon mënyrën e pagesave, kultura financiare dhe besimi në institucione mbeten elemente kyç të stabilitetit dhe mirëqenies shoqërore.

Guvernatori Sejko shtoi se: “Vizioni jonë i sotëm është rruga drejt Bashkimit Evropian, ku përafrimi me rregullat dhe praktikat evropiane nuk duhen kuptuar vetëm si synim politik, por edhe si përmirësim konkret në jetën e qytetarëve. Në këtë frymë, hapa si përafrimi me standardet e pagesave evropiane dhe objektiva si integrimi në SEPA janë shembuj të qartë se si “tregimi i parasë” vazhdon të shkruhet, me më shumë lehtësi, transparencë dhe siguri, me lidhje më të forta ekonomike dhe me një hap tjetër drejt bashkëjetesës nën të njëjtin qiell dhe nën të njëjtin flamur, atë të Bashkimit Evropian”.

Ekspozita shpalos rrugëtimin e parasë dhe të bankës qendrore shqiptare në tri epoka kryesore historike, të formësuara nga ndryshimet politike, zhvillimet gjeopolitike dhe ngjarjet ekonomike, nga standardi i arit dhe ekonomia e planifikuar, deri te kornizat moderne të politikës monetare të orientuara drejt stabilitetit të çmimeve.

Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, tha: “Në rrëfimin që do të shihni, historia e bankës qendrore dhe e monedhës shqiptare shpaloset si një udhëtim i vendit tonë në tri epoka kryesore, të formësuara nga ndryshimet politike, zhvillimet gjeopolitike dhe ngjarjet ekonomike që kanë përcaktuar fatet e Shqipërisë. Banka ka vepruar nën pothuajse të gjitha regjimet monetare: nga standardi i arit, te periudhat e kontrollit të fortë të planifikimit të centralizuar, e deri te kornizat moderne të politikës monetare me objektiv  stabilitetin e çmimeve.”

Ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje” në Prishtinë realizohet falë bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos