
Forcimi i mundshëm i euros do të rikthente valën e krizës së çmimeve në vend. Një studim i Bankës së Shqipërisë paralajmëron se zhvlerësimi i lekut do të shtrenjtonte veçanërisht produktet nga importi.
“Rezultatet tregojnë se kursi i këmbimit ndikon pozitivisht në inflacionin total, por efektet nuk janë të rëndësishme për vlerësimin e monedhës. Rezultati kryesor tregon se zhvlerësimet kanë tendencë të kenë një efekt inflacionist më të theksuar, veçanërisht në kuantilet më të larta të inflacionit” shprehet BSH, shkruan A2 CNN.
Nga një rikthim i mundshëm i euros në nivelet e 120 lekëve ndikime të konsiderueshme do të kishte edhe në drejtim të kredive. Këstet e huave do të bëheshin më të shtrenjta.
“Ndikimi i kursit të këmbimit është më kompleks: ai është negativ në afatshkurtër dhe përmbyset pjesërisht në horizonte më të gjata kohore. Efektet e vonuara të rrezikut të kredisë dhe normës së interesit zbehen gradualisht me kalimin e kohës”, deklaron BSH, raporton A2 CNN.
Në studim, Banka Qendrore ka nxjerrë në pah edhe faktin se çmimet e apartamenteve në vend janë së paku 5 për qind më të larta se normalja.
“Është zbuluar se çmimet e shtëpive ishin në mesin e vitit 2025 të paktën 5% mbi nivelet e tyre «normale». Gjithashtu, rezultatet paraprake tregojnë se çekuilibrat e çmimeve të shtëpive duket se pengojnë rritjen ekonomike në planin afatgjatë, por as nuk e përforcojnë dhe as nuk e dobësojnë atë në planin afatshkurtër”, thekson BSH.
Ekspertët theksojnë se stabiliteti i kursit të këmbimit mbetet thelbësor për kontrollin e inflacionit dhe ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë, në një kohë kur ekonomia shqiptare mbetet e ndjeshme ndaj zhvillimeve të jashtme. (A2 Televizion)