Paratë e profesionistëve të lirë, PD depoziton projektligj në kuvend, “Financat” i drejtohen “Kushtetueses”

Nga Marinela Lina
20 Shtator 2024, 15:32 | Ekonomi

Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ligjin për tatimin e profesionistëve të lirë, këta të fundit janë ende në pritje që t’u kthehen paratë nga administrata tatimore. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend një projektligj për këtë qëllim. Nga ana tjetër Ministria e Financave do të çojë në Kushtetuese një shkresë për sqarime.

“Ne jemi zbatues të ligjit, pavarësisht nëse ai është i kontestuar. Deri në zbardhjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese ne kemi vijuar të paguanim këstet e tatim-fitimit”, tha për A2 ekspertja Etleva Treska.

Etleva Treska është një nga më shumë se 6 mijë e 500 profesionistë të lirë që parapagoi këstin e parë të tatim-fitimit, ashti siç ligji tashmë i shfuqizuar pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikonte. Sot, profesionistët e lirë që kanë paguar rreth 500 milionë lekë duan paratë pas. Për këtë qëllim, grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend projektligjin "Për disa shtesa në ligjin, për Tatimin mbi të Ardhurat” ku propozon edhe rrugën se si mund të kthehen pas paratë.

“Administrata tatimore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i kalon shumat e paguara për llogari të detyrimeve të tjera tatimore, të papaguara nga tatimpaguesi. Pas kësaj, me kërkesë me shkrim të tatimpaguesit, shuma e mbetur, nëse ka, rimbursohet në llogarinë e tatimpaguesit ose kalohet për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tatimpaguesit”, citon A2 Grupin Parlamentar të PD-së.

Në relacionin e projektligjit parashikohen edhe kushtet dhe rruga që duhet ndjekur për të hequr nga supet edhe barrën mbi ata që nuk parapaguan këstet e tatimit-fitimit dhe rrjedhimisht u ngarkuan me gjoba.

“Propozohet që administrate tatimore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, të fshijë nga sistemi detyrimet tatimore së bashku me kamatëvonesat. Këto ndërhyrje përbëjnë një zgjidhje përfundimtare të problematikes që u krijua për shkak të aplikimit të tatimit 15 për qind për profesionistët e lirë, duke filluar nga I janari 2024, i cili siç u shpjegua gjerësisht më lart u gjet nga Gjykata Kushtetuese në shkelje te neneve 4 dhe II të Kushtetutës, e për rrjedhojë u shfuqizua”, citon A2 Grupin Parlamentar të PD-së.

Burime nga Ministria e Financave konfirmojnë se ndërkohë Drejtoria Juridike në këtë institucion ka hartuar për të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një shkresë për të kërkuar qartësi mbi rrugën që duhet ndjekur mbi ata që parapaguan dhe ata që hezituan të shlyenin këstet e tatim-fitimit. Pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese, do të udhëzohen Drejtoritë Rajonale të Tatimeve mbi mënyrën e Rimbursimit të kësteve dhe fshirjen e penaliteteve për ata që nuk i paguan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos