Vijon "bumi" i pushuesve të lire. Turistët sollën 4.4 miliardë euro, shqiptarët shpenzuan 2.3 miliardë jashtë

Nga Marjo Brakaj
15 Dhjetor 2025, 18:24 | Ekonomi

Vijon "bumi" i pushuesve të lire. Turistët sollën 4.4

Mbi 4.4 miliardë euro. Kaq para shpenzuan turistët e huaj që vizituan Shqipërinë deri në shtator. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në krahasim me janar-shtatorin 2024, shpenzimet e pushuesve të huaj u zgjeruan me 562 milionë euro ose 14.6 për qind.

Blerina Ago, eksperte e turizmit, tha për A2CNN: “Të gjithë jemi dëshmitarë të flukseve të turistëve të huaj që po hyjnë në Shqipëri”.

Deri në shtator vendin e vizituan 10.2 milionë pushues të huaj. Mesatarisht, çdo turist rezulton të ketë shpenzuar rreth 427euro, përfshirë këtu udhëtimin dhe akomodimin, duke përsëritur kështu paradoksin e “bumit të pushuesve të lirë”. 

“Shqipëria nuk duhet të orientohet te shifrat. Raporti që ne duam është ai i shpenzimeve. Ne na duhen turistë që shpenzojnë. Ka shumë studime që tregojnë se ka kategori turistësh që shpenzojnë deri në 58 për qind të të ardhurave të tyre për pushime. Këta na duhen ne”, deklaron Ago.

Fabulën joshëse “pushime me pak shpenzime në Shqipëri” e pranon edhe polaku Janika, i cili ka ardhur për pushime në Tiranë: “Ardhja në Shqipëri më shumë është kuriozitet. Gjetëm bileta të lira dhe menduam të vijmë. Gjithashtu edhe çmimet e shtëpive me qira janë të lira. Rreth 40 euro dita është mjaftueshëm. Edhe ushqimet nuk janë shumë të shtrenjta. Nuk shkojmë në restorante, pasi aty kushton shumë”.

Në linjë të ngjashme me shpenzimet e turistëve të huaj kanë shkuar edhe ato të pushuesve shqiptarë që preferuan t’i kalonin jashtë ditët e lejes nga puna. Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë nga janari e deri në shtator shqiptarët kanë shpenzuar 2.2 miliardë euro për pushime jashtë vendit. Në raport me 2024-n, shifra u rrit me 213 milionë euro.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar, u shpreh: “Shqiptarët janë pushues të dëshiruar pasi janë nga ata që shpenzojnë. Nuk kursehen si disa turistë që vijnë në Shqipëri”.

Megjithatë, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se mesatarisht, një shqiptar që shkon jashtë për pushime shpenzon 342 euro. Kjo shifër është rreth 85 euro më pak nga sa ajo që turistët e huaj mesatarisht shpenzojnë kur vijnë në Shqipëri.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos