“Berisha vuri kryehumbësin kryetar grupi", gazetari godet publikisht Gaz Bardhin

Nga A2 CNN
30 Shtator 2025, 22:12 | Politikë

Pse Berisha nuk i sposton humbësit dhe vuri kryehumbësin kryetar grupi? Kjo pyetje e ngritur nga gazetari Poli Hoxha shkaktoi debat në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, lidhur me drejtuesit politikë të opozitës në fushatën zgjedhore, ku PD humbi me një rezultat të thellë.

“A e kupton dot pse? Dakord që Berisha punoi dhe solli nga Amerika dhe nëpër studio për moshën është hero, por çështja është përse ti që e hoqe në kurriz në bazë dhe shumë militantë të ndershëm thonë: Berisha të rrijë, po sikur të shohim drejtuesit politikë? Cili është konceptimi yt? Pse Berisha nuk i sposton këta? U bë analiza kryehumbësin e vuri kryetar grupi”, pyeti gazetari ish-deputetin Lefter Maliqi, duke iu referuar kreut aktual të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, i cili ishte drejtues i qarkut të Fierit.

Në përgjigje të tij, ish-deputeti Maliqi u shpreh: “Jam dakord që një pjesë e drejtuesve politike dhe stafit duhet të bëjnë pas, por Berisha të mos preket. Unë pashë që Berisha në mëngjes në Selanik, në drekë në Korçë, pasdite në Kuçovë dhe në darkë në Durrës dhe disa drejtues politikë nuk e ndoqën”.

Gazetari Hoxha deklaroi gjithashtu se ka humbur lidershipi i opozitës. Sipas tij “ndershmëria te lidershipi i PD tingëllon si qesharake se është një opozitë me lidership që gogësin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos