Dodik e konfirmon: Sinisha Karan do të jetë kandidat për President të Republikës Sërpska

Nga A2 CNN
30 Shtator 2025, 22:22 | Ballkani

Dodik e konfirmon: Sinisha Karan do të jetë kandidat për

Sinisha Karan do të jetë kandidat i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur në zgjedhjet e parakohshme për president të Republikës Sërpska në Bosnje-Hercegovinë, ka konfirmuar kryetari i partisë, Millorad Dodik.

Dodiku, ish-president i këtij entiteti serb në Bosnje, i ka thënë Radio-Televizionit RS se do ta propozojnë Karanin para partnerëve të koalicionit.

Karan është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Thesarit, për pjesëmarrje në organizimin dhe shënimin e festave jokushtetuese të Republikës Sërpska.

Ai është profesor i çështjeve kushtetuese dhe ministër për Zhvillim Teknologjik dhe Shkencor në Qeverinë jokushteteuse të Republikës Sërpska.

Zgjedhjet e parakohshme janë thirrur për 23 nëntor, pasi Gjykata e Bosnje-Hercegovinës ia ka revokuar mandatin Dodikut, për shkak të një vendimi përfundimtar për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Vendimi i Gjykatës ia ka pamundësuar atij mbajtjen e ndonjë pozite publike për gjashtë vjetët e ardhshëm.

Partia e Dodikut pati thënë fillimisht se nuk do të kishte kandidat për zgjedhje, mirëpo më vonë ka vendosur të marrë pjesë në to.

Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike Serbe, ka thënë se kandidati i saj do të jetë Branko Bllanusha, profesor i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike në Banjallukë./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos