Zhgënjim dhe entuziazëm. Si u prit në Izrael dhe Palestinë plani i Trump?

Nga Rosalba Bejdo
30 Shtator 2025, 22:33 | Bota

Palestinezët janë të zhgënjyer me planin e Presidentit amerikan Donald Trump për paqen në Gaza dhe thonë se nuk do ta pranojnë atë. 

“Plani për të cilin ata folën, eliminon shtetin palestinez i cili u njoh nga shumë vende, dhe ky është një kolonializëm i ri . Është një qasje e re që eliminon kryeqytetin e Palestinës - Jerusalemin. Të gjitha parimet për çlirimin e Palestinës u anuluan dje. Për mua, ky është një kolonializëm i ri”, tha Ibrahim Arafat, shkruan A2.

“Njerëzit nuk po presin planin e Trumpit, njerëzit po presin që Zoti ta përmirësojë situatën, njerëzit duan liri dhe të jetojnë me dinjitet, jo me mbështetjen financiare dhe fizike që ofrohet nga Trumpi ose nga njerëz që janë më pak të fuqishëm ose më të fuqishëm se ai. Njerëzit nuk duan iluzione ose bojë në letër, njerëzit duan veprime, ata flasin vetëm për ndihmë, por ne nuk shohim asgjë në jetën reale”, u shpreh Sadeq Kamil.

E ndryshme është atmosfera në Izrael, ku qytetarët shprehen pozitivë ndaj planit të Trump, duke thënë se mund të jetojnë me një zgjidhje të tillë. Por, megjithatë, pasiguria mbetet nëse Hamas do të pranojë kushtet e propozimit dhe të çarmatoset plotësisht pas dy vitesh luftime.

“Një ditë e madhe për Izraelin. Nuk shoh askënd nga e djathta në të majtë që të dalë kundër planit. E vetmja pikëpyetje mbetet nëse Hamasi do ta pranojë duke i dhënë fund këtij mjerimi në të cilin po jetojmë prej dy vitesh tashmë”, tha Erez Goldman.

“Mendoj se çfarëdo që të ndodhë, ne absolutisht duhet t'i japim fund luftës dhe t'i kthejmë pengjet në shtëpi. Mendoj se kjo duhej të ishte bërë dy vjet më parë. Mendoj se e kemi bërë shumë, shumë, shumë vonë, me shumë vdekje nga të dyja palët, ushtarët tanë, pengjet tona dhe populli i Gazës. Por, mendoj se është një veprim i shkëlqyer. Pyes veten nëse Hamasi do të bjerë dakord të dorëzojë armët e tij dhe të largohet nga Gaza. Dua të them, ata kanë luftuar për dy vjet për të ruajtur pushtetin. Kështu që pyes veten nëse do të bien dakord”, u shpreh Susan Kennedy.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos