“Netanyahu kërkoi falje për sulmin në Doha”- Katari do të rifillojë rolin e ndërmjetësit mes Izraelit dhe Hamasit

Nga A2 CNN
30 Shtator 2025, 22:33 | Bota

“Netanyahu kërkoi falje për sulmin në Doha”- Katari

Kryeministri i Katarit ka thënë se vendi është gati të vazhdojë përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Gaza.

Sipas mediave të huaja, kjo deklaratë vjen pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shprehu keqardhje për një sulm ajror që shënjestroi udhëheqësit e Hamasit në Doha në fillim të këtij muaji.

Në një telefonatë trepalëshe me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, kryeministri izraelit i tha Sheikut Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani se i vinte keq për vrasjen e një oficeri të sigurisë së Katarit në sulmin e 9 shtatorit dhe shkeljen e sovranitetit të Katarit, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Ai gjithashtu pohoi se Izraeli nuk do të kryejë një sulm të tillë përsëri në të ardhmen, tha ajo, shkruan A2 CNN.

Ministria e Jashtme e Katarit tha se Netanyahu kishte “kërkuar falje për sulmin ndaj Dohas dhe ndaj sovranitetit të Katarit”, ndërsa Sheikh Mohammed nënvizoi “gatishmërinë e vendit për të vazhduar angazhimin në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, brenda kuadrit të iniciativës së presidentit amerikan”.

Kujtojmë se Katari ka qenë pritës i byrosë politike të Hamasit që nga viti 2012 dhe ka shërbyer së bashku me SHBA-në dhe Egjiptin si ndërmjetës në negociatat indirekte midis grupit dhe Izraelit gjatë gjithë luftës 23-mujore në Gaza.

Katari është gjithashtu një aleat kyç i SHBA-së në rajon dhe strehon një bazë ajrore të madhe amerikane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos