Pas tërmetit të vitit 2019 programi “EU4Schools” transformon arsimin, përfitojnë 25 mijë nxënës

Nga Marjo Brakaj
9 Maj 2026, 13:12 | Ekonomi

“Investimi në dije sjell fitimin më të madh”, shprehej dikur Benjamin Franklin, një prej figurave më të rëndësishme të historisë amerikane, i cili ishte shkrimtar, diplomat dhe një nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara.

Një shprehje që mori edhe më shumë kuptim në Shqipëri pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, kur 321 institucione arsimore u dëmtuan ose dolën jashtë funksionit, duke vështirësuar procesin mësimor për mijëra fëmijë, nxënës dhe mësues. Ata u përballën me mungesë infrastrukture dhe kushte të vështira për zhvillimin e mësimit.

Shkolla, kopshte dhe çerdhe në 11 bashkitë e prekura u rindërtuan nga e para ose iu nënshtruan rikonstruksionit.

Gjimnazi “Asim Vokshi” në Tiranë, çerdhja “Shtojzovallet” në Shijak, gjimnazi “Bernardina Qerraxhia” në Durrës, si dhe shkolla 9-vjeçare “Mehmet Babamusta” në Kavajë janë vetëm disa nga 63 institucionet arsimore të rindërtuara apo të rikonstruktuara.

Këto ambiente të reja kishin si synim kryesor të ofrojnë kushte moderne për mësimdhënie, si laboratorë bashkëkohorë, hapësira rekreative, sisteme ngrohjeje dhe ajrosjeje të integruara, si dhe akses për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Të gjitha këto investime janë realizuar përmes bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare dhe Bashkimit Europian, në kuadër të programit EU4Schools, të zbatuar nga UNDP, ku në total është investuar rreth 75 milionë euro për rindërtimin e institucioneve arsimore.

Programi nisi në vitin 2020 dhe pritet të përfundojë në qershor të këtij viti. Nga ndërtimi dhe rikonstruksioni i këtyre institucioneve kanë përfituar afro 25 mijë nxënës dhe mësues. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos