Për çfarë të studiojmë? Profesionet më të paguara janë financierë, IT dhe inxhinierë ndërtimi

Nga Marjo Brakaj
22 Qershor 2024, 17:05 | Ekonomi

Jeni financierë, specialistë IT, zhvillues programesh, inxhinierë ndërtimi... atëherë është koha juaj. Këto janë ndër profesionet më të kërkuara sot për sot në tregun shqiptar të punës, e njëherazi edhe më të mirë-paguarat.

Pagat nisin nga 110 mijë lekë për të vijuar në mesatarisht në 134 mijë lekë në muaj. Bazuar në këtë logjikë, Dorina ka bërë edhe zgjedhjen për studimet universitare.

“Studioj për Administrim-Biznes. E kam zgjedhur këtë degë për shkak se ka treg pune, ka paga të mira dhe mendo se  e gjej veten mjaftueshëm,” shprehet Dorina Islamaj, studente në fakultetin Ekonomik.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, punonjësit e bankave dhe ata të kompanive të sigurimit patën pagën mesatare më të lartë në harkun e muajve janar-mars me gati 134 mijë lekë, ndjekur nga të kualifikuarit në teknologji-informacioni me 110 mijë e 364 lekë.

“Teknologjia e informacionit dhe ekonomia kanë shumë treg pune. Ndaj unë kam zgjedhur informatikë ekonomike pasi e gjej veten dhe mendoj se paguhet mjaft mirë si profesion.”

Por pagat e larta nuk arrihet fill pas daljes nga auditorët e universitare. Në këtë drejtim, ekspertë të tregut të punës kanë këshillë.

“Një i ri duhet të investojë te vetja. Mund të ketë një periudhë internshipi e cila nuk paguhet shumë. Me e eksperiencën më pas vijnë edhe pagat e larta,” shpjegon Ergesta Stërmasi, eksperte e tregut të punës.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë ndërkohë se profesionet më pak të paguara janë ato të punonjësve në sektorin e shërbimeve, bujqit e zejtarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos