“Mundësi e kushtëzuar nga sfidat”. Rruga drejt Bashkimit Evropian nuk është e lehtë... veçanërisht për sipërmarrjet. Ky pohim pranohet edhe nga qeveria e cila do të vërë në zbatim Programin Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në “union”.
“Çdo sipërmarrës i vogël dhe i mesëm që ka gjithçka përveç financimit do ketë financim. Do ketë financimin me mbështetjen e qeverisë falë linjës së kredisë me Bankën e Shqipërisë dhe marrëveshjes që ne kemi bërë me bankat e nivelit të dytë për interesa të ulëta dhe financim domethënës. Ne s’do të ndalemi te një kuotë financimi si ajo që kemi parashikuar, nëse do ketë nevojë për më shumë do bëjmë më shumë”, deklaroi Rama.
Programi parashikon zbatimin e tij në 4 fazë, duke përfshirë informim, trajnime, mbështetje për standardet dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
“Programi synon të krijojë mekanizmat që bizneset shqiptare të jenë të informuara, të trajnuara, të mbështetura financiarisht dhe të përgatitura për të përmbushur standardet europiane. Objektivi është që gjatë vitit të arrihen rreth 48 mijë ndërmarrje në të gjithë vendin, të krijohet një rrjet kombëtar ekspertësh dhe konsulentësh”, u shpreh ministrja Inbrahimaj.
Në muajin tetor do të nisë një proces informimi dhe asistence “derë më derë” për bizneset që kanë detyrimin të përmbushin standardet europiane. Objektivi është të asistohen rreth 48 mijë biznese.
“Integrimi europian është mundësia më e madhe zhvillimore që ka pasur ndonjëherë ekonomia shqiptare. Angazhimi ynë është që, së bashku me biznesin dhe partnerët tanë, ta kthejmë këtë proces në një histori suksesi dhe transformimi të ekonomisë shqiptare", tha Arben Shkodra, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë.
Nga sondazhi i zhvilluar në muajt tetor-nëntor dhe dhjetor nga rreth 2,500 kompani të analizuara, vetëm 15 për qind janë të njohura me kërkesat dhe funksionimin e tregut europian, çka tregon se informimi dhe ndërgjegjësimi i bizneseve duhet të jetë hapi i parë për rritjen e pranisë së tyre në tregun e Bashkimit Evropian. (A2 Televizion)