Komisioni Europian parashikon se ekonomia e Shqipërisë nuk do të rritet me më shumë se 3.3 për qind këtë dhe vitin e ardhshëm.
Në raportin e fundit të pranverës këto vlerësime mbështeten kryesisht te kërkesa e brendshme dhe investimet, si dhe nga pasiguria më e lartë e jashtme: “Rritja pritet të ngadalësohet krahasuar me vitet e mëparshme, për shkak të rritjes së pasigurisë së jashtme dhe çmimeve më të larta të energjisë pas konfliktit në Lindjen e Mesme. Turizmi pritet të mbetet një motor kyç i rritjes, megjithëse zgjerimi i tij ka gjasa të ngadalësohet ndërsa sektori maturohet. Përparimi në negociatat për anëtarësim në BE përbën një faktor pozitiv për rritjen, përmes përmirësimit të besimit ekonomik”.
Vala e krizës së çmimeve parashikohet të bëhet edhe më e fortë në vijim, por lajmi i mirë është se ajo do të jetë kalimtare, shkruan A2.
“Inflacioni pritet të përshpejtohet në vitin 2026, pjesërisht për shkak të çmimeve më të larta globale të energjisë pas konfliktit në Lindjen e Mesme. Megjithatë, ndikimi i tyre pritet të kufizohet nga forcimi i vazhdueshëm i lekut dhe nga pritshmëritë e qëndrueshme për inflacionin. Inflacioni parashikohet të afrohet me objektivin 3% në vitin 2026 dhe të mbetet pranë tij më pas”, thotë Komisioni Europian.
Shtetet e tjera më të pasura rrezikojnë t’i marrin Shqipërisë fuqinë punëtore. Vendi duhet të identifikojë dhe zhvillojë avantazhet konkurruese, vlerëson Komisioni: “Pjesëmarrja në tregun e punës pritet të rritet më tej, e mbështetur nga pagat më të larta, përfshirë rritjen e fundit të pagës minimale, si dhe nga perspektiva më e mirë për punësim. Megjithatë, emigracioni vijon të mbetet një faktor kufizues. Pas nivelit më të ulët historik të regjistruar në vitin 2025, norma e papunësisë pritet të mbetet përgjithësisht e qëndrueshme”.
Në vlerësimin që i është bërë ekonomive të Ballkanit Perëndimor në raportin e pranverës 2026, rritjen më të lartë thuhet se do e ketë Shqipëria, ndjekur nga Maqedonia e Veriut e Malin e Zi për të vijuar me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën. (A2 Televizion)