Vëzhgim satelitor dhe identifikim për anijet shqiptare të peshkimit që operojnë edhe jashtë ujërave të territorit tonë. Një sistem i tillë monitorimi është një prej risive në projektligjin për peshkimin.
“Ministria ngre një sistem monitorimi të anijeve me bazë satelitore për monitorimin efektiv të aktiviteteve të peshkimit të anijeve të peshkimit me flamur shqiptar kudo që mund të jenë ato anije dhe të aktiviteteve të peshkimit të këtyre anijeve në ujërat ndërkombëtare,” shprehet Rigers Bakiu, specialist në biologji marine dhe akuakulturë.
Ky kontroll i shtuar është bërë i domosdoshëm për shkak të ambicies për të operuar me flamurin shqiptar edhe jashtë Mesdheut.
“Që anijet të zhvillojnë aktivitet në detrat e largët, nevojitet që këto anije të jenë më të mëdha dhe të pajisura me aparaturat që mundësojnë lundrimin në distanca të largëta. Për këtë qëllim është e nevojshme të krijohet mundësia që ligji i peshkimit të lejojë futjen e anijeve të reja për peshkim jashtë Mesdheut, ashtu sikurse edhe vetë vendet e BE-së e kanë për flotën e tyre.”
Por rregullat e Bashkimit Europian janë të strikte dhe për të parandaluar, penguar dhe eliminuar peshkimin e paligjshëm në përputhje me këtë kornizë rregullash, do të jenë të kufizuara lejet apo autorizimet për peshkim në ujërat jashtë sovranitetit të shtetit shqiptar.
Por a kemi ne flotën e duhur dhe të nevojshme për një ndryshim të tillë?
Ndryshime të tilla vijnë në një moment kur sektori i peshkimit ngre shqetësimet e mungesës së subvencionimit dhe kërkon mbështetje të mëtejshme për zgjerimin e prodhimit dhe eksportimin e peshkut që gjithashtu do të quhet “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare. (A2 Televizion)