Shqiptarët po i paguajnë rregullisht këstet e kredive. Pavarësisht krizës së çmimeve dhe normave të rritura të interesit, niveli i huave të papaguara në kohë ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2008.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kreditë e këqija në shkurt ishin sa 4.69 e totalit, duke u ulur me 0.19 për qind në raport me janarin.
“Ka një rregull të pashkruar. Sa herë ulen kreditë e këqija do të thotë që janë shtuar refuzimet. E kundërta ndodh kur kreditë e këqija rriten. Pra ka pasur më pak refuzime. Është një mënyrë që bankat bëjnë për t’u mbrojtur nga kreditë e këqija,” shprehet eksperti për ekonominë, Pano Soko.
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se në total, vlera e kredisë së papaguar në kohë në fund të shkurtit arriti në 35.2 miliardë lekë.
“Kryesisht kredimarrësit goditen nga inflacioni dhe normat e interesit. Të dy këta tregues janë përmirësuar në raport me një vit më parë. Gjithashtu kemi rritje të pagave në disa sektorë. Shtohen të ardhurat e rrjedhimisht aftësia paguese. Mbivlerësimi i lekut gjithashtu ka qenë faktor”.
Pavarësisht se kreditë e këqija janë në nivelet më të ulëta historike, Banka e Shqipërisë po përgatit një rregullore e cila parashikon shtrëngim të kushteve të dhënies së huave për individët dhe bizneset. (A2 Televizion)