Paratë vijojnë të keqmenaxhohen, mbi 72 mld lekë dëm ekonomik në 2023, 10 kallëzime në SPAK nga KLSH

Nga Marjo Brakaj
10 Prill 2024, 14:56 | Ekonomi

Paratë e shqiptarëve vijojnë të keq-menaxhohen. Një pjesë nga korrupsioni, paaftësia apo neglizhenca, institucionet shkaktuan më shumë se 72 miliardë lekë dëm ekonomik gjatë vitit të shkuar.

Pas auditimeve në 195 institucione e drejtori Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti gati 5.2 miliardë lekë dëm të drejtpërdrejtë ekonomik dhe rreth 67 miliardë lekë keqadministrim, në formën e të ardhurave të munguara apo fondeve të shpenzuar pa efiçencë.

 “Në auditimet e kryera në njësitë e qeverisjes së përgjithshme dhe institucionet qendrore kanë rezultuar mangësi në drejtimet e mëposhtme: Në zbatim të kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi në fushën e administrimit të pasurisë shtetërore, të prokurimeve me fondet publike, të zbatimit të projekteve të financuara nga buxheti, të shpërblimit të punës dhe pagave të punonjësve, zbatimin e kontratave.”

Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni që auditon mënyrën se si menaxhohen dhe shpenzohen fondet e buxhetit dha mbi 5 mijë e 700 rekomandimeve pas shkeljeve të gjetura. Gati 3 mijë e 300 rekomandime ishin në formën e masave organizative, ndjekur nga ato disiplinore apo penalitetet për shpenzime me efekte negative.

Për shkeljet e rënda të gjetura, KLSH ka referuar edhe kallëzime penale në SPAK.

 “KLSH ka adresuar 67 materiale për auditime të ndryshme në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të veprimeve hetimore që po kryhen nga ky i fundit, si dhe ka kallëzuar penalisht 10 zyrtarë të administratës shtetërore për veprën penale shpërdorim i detyrës, si dhe shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal të kryera në bashkëpunim më shumë se njëherë.”

Në raport me 2022-shin, dëmi ekonomik gjatë vitit të shkuar është ulur me rreth 125 miliardë lekë apo 63.4 për qind.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos