Në gati tre dekada transporti jashtë vendit i mbetjeve, përfshirë ato të rrezikshme kishte qenë një proces normal...të paktën në dukje. Prej vitit të largët 1998, Shqipëria eksporton dhe shërben si vend transit i tyre. Kjo për shkak se në vend mungon infrastruktura e nevojshme për trajtimin e një sërë kategorish të tyre.
“Rrymat e mbetjeve të rrezikshme janë rryma që trajtohen në mënyrë të specializuar dhe kanë një kosto shumë të lartë. Përgjithësisht nuk trajtohen brenda vendit , prandaj ato duhet të transferohen në vende të tjera që kanë teknologji të përparuar apo të përshtatshme për të bërë trajtimin e tyre,” shprehet Mihallaq Qirjo, pedagog, ekspert mjedisi.
Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave që tregojnë se në gjysmën e parë të vitit, nga Porti i Durrësit janë nisur gati 14 mijë tonë mbetje për në shtete të tjera. Ecuria e ngjashme rezulton edhe për janar-qershorin e një viti më parë.
“Ti ke këtu mungesa të mëdha për sa i përket impianteve të kompostimit në të gjithë vendin, për mbetje organike... impiante që mund të trajtojnë edhe këto mbetje të rrezikshme të cilat mund të ri-trajtohen he të ripërdoren për industri të përgjithshme. Eksportohen pasi ne nuk kemi teknologji për t’i trajtuar,” thotë Françeska Korançe, eksperte mjedisi, transmeton A2.
Transferimi i mbetjeve të tilla nga një vend në tjetrin është një proces i rregulluar mirë dhe fortë me anë të ligjit ndërkombëtar, që është Konventa e Bazeli në këtë rast.
“Konventa e Bazelit nuk ndalon në mënyrë absolute eksportin e mbetjeve të rrezikshme nga vende si Shqipëria, e cila nuk është anëtare e BE-së apo e OECD-së, por vendos rregulla strikte për mënyrën se si këto mbetje mund të eksportohen. Shqipëria, si vend nënshkrues i Konventës së Bazelit, duhet të përmbushë disa kushte për t’i eksportuar këto mbetje.”
Por një alarm i ngritur nga “Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara më 5 gusht se një anije gjigande kontejnerësh prej 175 mijë tonësh e linjës “Maersk” ishte zhdukur që në fund të korrikut nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, prodhoi atë që po konsiderohet si “skandali me mbetjet e rrezikshme.”
“Elementi që është ir ri për ne tani është nxjerrja e këtij lloj diskutimi në një debat ndërkombëtar që ngre shumë pikëpyetje se çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre viteve. Për rrjedhojë ngre pikëpyetje se sa mirë ne kemi menaxhuar trajtimin e këtyre mbetjeve të rrezikshme, apo thënë më thjesht dhe shkoqur... ku kanë shkur këto mbetje të rrezikshme deri më tani që u kap kjo sasi?”
“Patjetër që mund të jenë bërë abuzime, por nuk mendoj se është aq problem i madh për vetë faktin se ajo çka ne kemi për të eksportuar nuk na lejon të kemi abuzime të mëdha.”
Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Network”, ngriti shqetësimin se anija ‘Maersk Campton’ dhe një anije e dytë kontenjerësh e së njëjtës linjë, ‘Maersk Candor’, kishin ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike me destinacion Tajlandën.
“Sipas lejes mjedisore, prodhuesi duhet të deklarojë llojin e mbetjes dhe trajtimin e tyre.”
Shqipëria eksporton dhe shërben si vend transit për mbetjet e rrezikshme që prej vitit 1998, ndërsa përgjegjësia për kontrollin e tyre është e një kompanie koncesionare dhe jo e Portit të Durrësit.... Me këto argumente, duke konfirmuar se çështja është duke u hetuar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kërkoi të pritet deri sa drejtësia të flasë.
“Autoriteti Portual i Durrësit me koncesionarit i cili ka kryer të gjitha këto transporte janë dy etnitete konkurrente që ta keni të qartë dhe ta shihni çështjen me një sy tjetër. Megjithatë unë do ndalja këtu informacionin për këtë çështje pasi ,qeveria Shqiptare, të gjitha institucionet ligj-zbatuese janë duke bashkëpunuar me OLAF-in”.
Terminali lindor në portin e Durrësit menaxhohet përmes një koncesioni të vitit 2013 nga kompania gjermane EMS Shipping and Trading Gmbh, por menaxhimi i terminalit nga kjo kompani është vënë në pikëpyetje. Në vazhdën e argumenteve se “Porti i Durrësit nuk është përgjegjës për mbetjet që u nisën drejt Tajlandës”, Balluku tregoi edhe mbi procedurën e eksporteve.
“Duhet të dalim një herë në rezultate, të shikojmë se çfarë ka ndodhur. Nga ana tjetër është detyrim i etnitet transportues, apo prodhuesit. Në disa raste ka qenë vetë Kurum që ka kryer transportin e mbetjeve të rrezikshme. Është detyrim i tyre që të bëjnë vetë-deklarimin”.
Përtej vetë-deklarimit, për të eksportuar mbetjet elektrike nga Shqipëria, nevojitet një leje paraprake nga Tajlanda si vend destinacion, si dhe vendet tranzit për të eksportuar mbetje të rrezikshme. Kjo leje duhet të përfshijë informacione mbi llojin dhe sasinë e mbetjeve, si dhe destinacionin dhe metodën e trajtimit ose asgjësimit të tyre.
Eksporti i mbetjeve të rrezikshme mund të bëhet vetëm nëse mbetjet do të menaxhohen në mënyrë të sigurt në vendin e destinacionit, sipas standardeve mjedisore dhe shëndetësore të përshtatshme.
Sipas verifikimeve të kryera nga Policia e Durrësit, të referuara më pas në Prokurori, një sasi prej 2800 ton mbetje të prodhuara nga Kurum dyshohet se i janë shitur kompanisë “Sokolaj” sh.p.k në tetor dhe nëntor të vitit 2023, raporton A2.
Në një deklaratë në 14 gusht, Maersk njoftoi se po punonte për t’i kthyer kontejnerët e dyshuar në anijet Maersk Compton dhe Maersk Candor në Shqipëri. Këto ndërkohë janë pamjet satelitore që konfirmojnë se mbetjet e nisura nga Durrësi po kthehen pas.
Në mesin e shtatorit anija që po bën transportin e tyre pritet të mbërrijë në Portin e Lisbonës në Portugali, ndërsa deri në fund të muajit ato pritet të mbërrijnë në Durrës.
Por qeveria, përmes një njoftimi për shtyp të përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit ka paralajmëruar se Shqipëria nuk mund të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme.
Dhe në një kohë që “skandali me mbetjet drejt Tajlandës” po hetohet nga drejtësia, një tjetër zhvillim, me po në qendër plehrat ka përfshirë vendin.
Tetë vjet pas protestave popullore me sloganin “T’u themi jo plehrave”, Shqipëria pritet t’i japë “dritën jeshile” importit të mbetjeve nga jashtë. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve.”
Baza e re ligjore që zëvendëson atë të vitit 2011 përcakton se do të lejohet vetëm importi i mbetjeve që miratohen nga qeveria në një listë të posaçme dhe ku mbetjet klasifikohen si jo të rrezikshme.
“Në territorin e Republikës së Shqipërisë lejohen të importohen, vetëm disa kategori të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme, përveç atyre të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, pas miratimit të kërkesës për import me Vendim të Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit miraton listën e mbetjeve jo të rrezikshme të cilat lejohen të importohen në Republikën e Shqipërisë si dhe rregullat për zbatimin e këtij neni.”
Jo-zyrtarisht nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit konfirmohet se do të lejohet importi i atyre mbetjeve që janë pjesë e listës së gjelbër, që i lejon edhe Bashkimi Europian, të tilla si kartoni, letra, alumini, hekuri, plumbi, zinku. Pjesë e listës mund të jenë edhe mbetjet industriale apo ato mjekësore. Ndërkohë, janë përcaktuar dhe masat ndëshkuese ndaj atyre që do të përpiqen të fusin në vend mbetje të rrezikshme.
Në territorin e Republikës së Shqipërisë, ndalohet importi apo transiti i mbetjeve të rrezikshme. Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllim ruajtjeje ose asgjësimi në Republikën e Shqipërisë. Çdo person që importon mbetje të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë do të dënohet me gjobë në vlerën nga 1.950.000 lekë deri në 2.600.000 lekë.
Ndërkohë pavarësisht se praktika e djegies së tyre është një nga alternativat e fundit në piramidën e zgjidhjeve, në Bashkimin Europian, Shqipëria do të vijojë të ndjekë këtë rrugë
Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit dhe të ministrit përgjegjës për infrastrukturën dhe energjinë, miraton rregullat për incinerimin e mbetjeve, me qëllim reduktimin e emetimeve në atmosferë dhe të aromave, sipas teknikave më të mira të disponueshme.
Shqipëria e ka dëgjuar këtë histori edhe më parë. Gjatë njëzet viteve të fundit, në vend ka pasur të paktën tre nisma ligjore që synonin të lejonin importin e mbetjeve, të cilat nuk janë miratuar për shkak të protestave popullore. (A2 Televizion)