Jo vetëm në bujqësi me IPARD... me fondet e Bashkimit Europian është abuzuar edhe në menaxhimin e kufijve me paratë e FRONTEX. Pas kontrolleve të kryera në Drejtoritë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Korçë dhe Gjirokastër janë gjetur një sërë shkeljesh që çuan në përfitime të padrejta dhe dëm ekonomik në shifra të konsiderueshme.
“Janë konstatuar diferenca në numër ditësh, shpenzime dietë dhe diferencë në numër netësh, shpenzime për akomodim, referuar mandat pagesave respektive të arkës, si dhe transaksioneve financiare me operatorët bankarë, krahasuar me periudhat respektive të kryerjes së shërbimeve, në referencë të këtyre urdhrave, në vlerën 19,050 Euro, vlerë e cila vlerësohet përfitim i padrejtë nga ana e përfituesve në kushtet kur këto trupa shërbimi janë punonjës të DVKM Korçë dhe Gjirokastër”, citon A2 gjetjet e inspektimeve në DPPSH
Dietat dhe faturat e fjetjes rezultojnë vetëm maja e ajsbergut e abuzimeve me fondet e Agjencisë së Rojës Bregdetare dhe Kufirit Evropian në harkun e viteve 2021-2023. Përfitimet e padrejta në qindra-mijëra euro shtrihen edhe në drejtim të shpërblimeve apo pagave të fryra të oficerëve të ngarkuar me detyra në Korçë dhe Gjirokastër.
“Mungesa e dokumentacionit vërtetues e justifikues për pasojë ka sjellë ekspozimin e buxhetit të shtetit ndaj një efekti financiar negativ në vlerën totale prej 300.564 euro, të përfitimit të padrejtë nga ana e përfituesve respektivë në vlerën prej 193.447 euro dhe në vlerën prej 422.252 lekë”, citon A2 gjetjet e inspektimeve në DPPSH.
Për abuzimet e gjetura, në gjashtë raste është kërkuar rikthimi i parave në arkën e FRONTEX me anë të masës “shpërblim dëmi. Ndaj pjesës tjetër të atyre që kanë janë përfituar në mënyrë të padrejtë janë vendosur gjithashtu 2 masa administrative, 9 rregullatore dhe 7 disiplinore.
“Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, strukturat përgjegjëse të saj, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe Sektori i Financës për periudhën objekt inspektimi, nuk janë menaxhuar me përgjegjshmëri fondet e dhëna nga buxheti i FRONTEX, referuar shkeljeve ligjore të konstatuara në fushën e menaxhimit financiar dhe të kontrollit, të menaxhimit të aktiveve në njësitë e sektorit publik”, citon A2 gjetjet e inspektimeve në DPPSH.
Abuzime të ngjashme u gjetën më herët nga Zyra Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik që prodhoi pezullimin e fondeve IPARD për fermerët shqiptarë. Me akuzat e abuzimit me fondet e Bashkimit Eruopian teksa drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, më herët u arrestua me urdhër të SPAK edhe Ilir Beqaj. (A2 Televizion)