“Po vuajmë mëkatet e të tjerëve”, Mikrofinanca ankohet për uljen e tavaneve të interesave për kreditë

Nga Marjo Brakaj
12 Janar 2024, 16:04 | Ekonomi

Po vuajmë për mëkatet e të tjerëve.” Shoqata “Mikrofinanca Shqiptare” ankohet se ulja e tavaneve të interesave për kreditë konsumatorë nga Banka e Shqipërisë po dëmton shoqëritë e rregullta në tregun e huadhënies.

Kemi kërkuar të diferencohemi nga disa institucione financiare jo banka që për fatin tonë të keq, menaxhojnë disa portofole të tjera, portofole problematike. Ato kanë një qasje krejt tjetër nga shoqëritë e mikrofinancës me klientin”, tha sekretarja e shoqatës “Mikrofinanca Shqiptare”, Junida Katroshi Tafaj.

Për sekretaren e përgjithshme të shoqatës, Junida Katroshi, orientimi i interesave nga Banka Qendrore në drejtim vetëm të konsumatorëve, duke ngushtuar marzhet e fitimit të kompanive mund të kthehet në efekt “bumerang”.

Duhet të keni parasysh që mikrofinanca i shërben asaj kategorie klientësh që nuk iu shërbejnë bankat. Për momentin mund të ngjajë se përfitimi social, mund të jetë i mirë për këtë kategori, por në një të ardhme kjo kategori mund të mos shërbehet më”, shtoi Tafaj.

Në kushtet që kontrolli i interesave është marrë nga Banka e Shqipërisë, Shoqata “Mikrofinanca Shqiptare” kërkon që bashkë me tavanet të aplikohet edhe një normë dysheme për të mbrojtur sadopak planet e bizneseve në këtë nën-sektor fiannciar.

Ndryshimet e shpeshta nuk ofrojnë qëndrueshmëri. Institucionet e mikrofinancës kanë plane biznese, parashikojnë dhe hedhin në treg produkte. Kur ndryshimet janë kaq të shpeshta, planet e tyre prishen duke afektuar klientët”, nënvizoi ajo.

Për shkak të rasteve abuzive e deri në zhvatje të raportuara, Banka e Shqipërisë miratoi në fund të vitit 2021 normat tavan të interesit për kreditë konsumatorë. Për kreditë deri në 200 mijë lekë, u vendos së fundmi që norma maksimale e interesit të jetë 100 për qind nga mbi 171 për qind që ishte në fillim të 2022-shit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos