Eksperimenti për të sjellë punëtorë nga jashtë do të vazhdojë. Pas Filipineve, Shqipëria i ka hedhur sytë te Bangladeshi.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ia parashtroi kërkesën kryeministrit të qeverisë teknike të Bangladeshit, Muhammad Yunus, gjatë punimeve të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shkruan A2.
Nevojën jetike për fuqi punëtore e konfirmoi edhe Delina Ibrahimaj në konferencën e saj për media, pas marrjes së detyrës si ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit: “Shqipëria po përballet me një mungesë serioze të fuqisë punëtore, sidomos në sektorë si fasoneria, ndërtimi dhe turizmi. Për këtë arsye, po punojmë për të diversifikuar vendet e origjinës së punonjësve të huaj që vijnë në tregun tonë të punës”.
Presidenti Begaj u zotua gjatë takimit me kryeministrin e Bangladeshit se qeveria shqiptare do të punojë për të lehtësuar procedurat për pajisjen me vizë të punonjësve shqiptarë. Kryesisht për sektorin fason dhe atë të turizmit, janë rreth 40 mijë të huaj që pritet të vijnë në Shqipëri në muajt në vijim.
“Ne synojmë të thjeshtojmë procedurat e vizave dhe lejeve të punës, në mënyrë që kompanitë shqiptare të mos penalizohen nga mungesa e krahut të punës. Procesi do të jetë më i shpejtë dhe më transparent”, tha Ibrahimaj.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Punësimit dhe Aftësive, vitin e shkuar numri i shtetasve të huaj të pajisur me leje pune arriti në gati 13 mijë. Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë se në vitet paraardhëse. Pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur në Shqipëri deri më tani janë nga Turqia, Egjipti, Filipinet, India, Kina apo Ukraina.
“Këto të dhëna tregojnë qartë se tregu shqiptar po bëhet më tërheqës për punonjësit e huaj. Është një proces i pandalshëm që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e ekonomisë dhe nevojat e tregut”, theksoi Ibrahimaj.
Veç atyre që vijnë për të punuar, vitet e fundit po ka një rritje të kërkesës për leje qëndrimi edhe nga ata që thjesht duan të jetojnë në Shqipëri. Të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë se vitin e shkuar pati 13 176 kërkesa për leje qëndrimi nga pak më shumë se 12 000 të tilla gjatë 2023-shit.
Pjesa më e madhe e kërkesave erdhën nga italianët, me 2 156 të tilla ndjekur nga indianët, turqit dhe qytetarët nga Kosova. (A2 Televizion)