Një qytet-resort në veri të vendit, një kompleks hotelerie dhe rezidencial në jug dhe një ndërtesë multifunksionale buzë Liqenit të Tiranës. Tre projekte me një emërues të përbashkët: “ABA Properties”. Me filozofinë e ndërlidhjes mes aktorëve të tregut, etniteti më i ri në fushën e pasurive të patundshme organizoi një takim me disa prej agjencive më prestigjioze të pasurive të paluajtshme në vend dhe përfaqësues të tjerë të sektorit.
Andri Kasneci, CEO i ABA Properties: “Është një kënaqësi e vërtetë që sot mikpritëm NAREA-n dhe disa prej agjencive më prestigjioze të pasurive të paluajtshme në vend. Ky takim kishte dy qëllime kryesore: së pari, të festonim aderimin tonë në këtë organizatë dhe, së dyti, të prezantonim ABA Properties, entitetin më të ri në fushën e zhvillimit të pasurive të paluajtshme. Gjithashtu, ishte një mundësi për të prezantuar tre projektet tona më të reja, të cilat përfaqësojnë vizionin dhe ambicien tonë në këtë sektor: ‘Baks Bay Albania’, projekti më i madh turistik në veri të Shqipërisë; ‘Lake View Tower’, buzë liqenit artificial në Tiranë; si dhe ‘Nereida’ në Jalë.”
Anëtarësimi në NAREA dhe prezantimi i projekteve të reja shënojnë një hap drejt forcimit të bashkëpunimit në tregun e pasurive të paluajtshme. Një treg ku, përtej investimeve, rëndësi kanë vizioni, cilësia dhe qëndrueshmëria e projekteve në kohë.
Lefter Sila, ndërmjetës dhe vlerësues i pronave, “INF 93”: “Kur më përmendni Gener 2, ndiej një nostalgji të bukur dhe një admirim të veçantë për këtë kompani. Kemi mbi 30 vite bashkëpunim, që nga projektet e para, dhe gjatë gjithë kësaj kohe kam pasur mundësinë të ndjek nga afër zhvillimin e saj. Ajo që vlerësoj veçanërisht është serioziteti në punë dhe fakti që projektet e realizuara kanë arritur t'i rezistojnë kohës. Kjo është një dëshmi e qartë e vizionit dhe cilësisë së investimeve të saj.”
Krahas cilësisë së investimeve, një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në këtë sektor po merr profesionalizimi i ndërmjetësimit. Rritja e interesit të blerësve vendas dhe të huaj kërkon aktorë të specializuar, që garantojnë prezantim profesional, transparencë dhe besueshmëri në treg.
Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i NAREA: “Tregu ka folur dhe statistikat reflektojnë performancën e tij, e cila është rezultat edhe i punës së kompanive serioze dhe projekteve si këto tre që pamë sot, nën administrimin e ABA Properties. Mendoj se tashmë kemi arritur në një pikë maturimi të tregut. Një element tjetër i rëndësishëm është se sot kemi edhe ndërmjetësues seriozë, të cilët kanë kapacitetin dhe profesionalizmin për t'u prezantuar denjësisht blerësve vendas dhe të huaj projekte të kësaj natyre. Kjo ndihmon në rritjen e besueshmërisë dhe në konsolidimin e mëtejshëm të tregut të pasurive të paluajtshme.”
Përmes anëtarësimit në NAREA, ABA Properties synon të forcojë partneritetet me aktorët e tregut dhe të zgjerojë mundësitë e prezantimit të projekteve te blerësit vendas dhe të huaj, duke vënë në fokus profesionalizmin dhe bashkëpunimin. (A2 Televizion)