“Mundësitë e reja të investimit në Ballkanin Perëndimor dhe roli i rajonit në të ardhmen ekonomike të Europës”... Me këtë fabul, u zhvillua dita e dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë.
“Ne po takohemi në një moment përcaktues për Europën, ku konkurrueshmëria po testohet, konkurrenca po intensifikohet dhe pasiguria gjeopolitike po shtohet. Europa do të bëjë zgjedhje themelore për të ardhmen ekonomike. Kjo lidhet edhe me Ballkanin Perëndimor”, tha ambasadorja e BE në Tiranë, Sofie Moreira de Sousa.
Teksa tregoi se Bashkimi Europian ka investuar mbi 8.4 miliardë euro në Shqipëri, Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë tregon mbi planet e mbështetjes për në vijim ndaj vendit tonë. "Duhet të forcojmë bazën tonë industriale duhet të shpejtojmë inovacionin, të diversifikojmë kanalet e furnizimit, të kemi akses në energjinë e pastër. Ballkani luan një rol të rëndësishëm për shkak të afërsisë gjeografike, talentit, aftësive industriale dhe ekonomive të integruara që kontribuojnë në konkurueshmërinë e Europës”, shtoi Sousa.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, u bëri thirrje investitorëve të shfrytëzojnë mundësitë që ofron rajoni, duke theksuar se Ballkani Perëndimor mund të bëhet një nga burimet e reja të rritjes ekonomike të Europës. “Koha për të investuar është tani. Pyetja për investitorët është se kush do të jetë këtu i pari. Ballkani Perëndimor e ka vendin në zemër të Europës dhe mund të bëhet një nga burimet e reja të rritjes së saj ekonomike”, tha ai.
Ministri kërkoi që konferenca të mos mbetet vetëm në nivel diskutimesh, por të pasohet nga projekte dhe marrëveshje konkrete. “Suksesin e kësaj konference do ta matim me numrin e marrëveshjeve që do të nënshkruajmë. Gjeografia na bëri europianë. Reformat po na bëjnë konkurrues. Investimet do ta bëjnë këtë përparim të pakthyeshëm. Horizonti është i hapur. Drejtimi është i qartë”, shtoi ai.
Ministri Hoxha bëri të ditur se Shqipëria ka siguruar tashmë mbi 212 milionë euro nga parafinancimi dhe pagesat e lidhura me rezultatet në kuadër të Planit të Rritjes, ndërsa së shpejti pritet një tjetër pagesë me vlerë të përafërt. (A2 Televizion)