Frenim i investimeve të reja të huaja dhe rrezik për largimin e atyre ekzistuese. Ndryshimet fiskale të propozuara nga qeveria, që pritet të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm, ngjallin shqetësim te sipërmarrësit e huaj. Massimiliano Adilardi, konsulent italian me mbi 20 vite përvojë në fushën e biznesit, financave dhe fiskalitetit, prej 13 vitesh rezident në Shqipëri, argumenton se si ndryshimet e parashikuara mund të dëmtojnë klimën e investimeve dhe perspektivën e vendit për tërheqjen e kapitalit të huaj.
Massimiliano Adilardi, Konsulent Biznesi dhe Tatimor, shprehet: “Më duhet të them se ndryshimet fiskale u hartuan e publikuan pa konsultim dhe po e njëjta edhe me miratimin. Mendoj se përpara se të ndërmerren ndryshime të tilla, duhet të ketë një dialog me sipërmarrjen, pasi janë pikërisht bizneset ato që preken drejtpërdrejt. Duhet të kuptohet se çfarë ndikimi do të kenë këto masa në aktivitetin e tyre dhe në vendimmarrjen për investimet e ardhshme.”
Por përtej mënyrës së hartimit dhe miratimit, ajo që shqetëson më shumë sipërmarrësit e huaj është rritja e kostove dhe ndryshimi i kushteve të të bërit biznes
“Ndryshimet fiskale, si rritja e tatimit mbi dividendin në 15 për qind, TVSH-ja në 21 për qind apo edhe ulja e pragut në 5 milionë lekë, cenojnë biznesin. Më vjen keq ta them, por Shqipëria nuk është më joshëse. Me euron që nënçmohet, krahun e punës që bëhet më të shtrenjtë, ndryshimet fiskale i vënë vulën një situate aspak pozitive për sipërmarrjet, veçanërisht ato të huaja”, tha Adilardi.
Në kushtet kur vendet e rajonit konkurrojnë për të tërhequr investime dhe për të krijuar kushte sa më të favorshme për sipërmarrjen, ndryshimet në barrën fiskale mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhjen e destinacionit të kapitalit.
“Me keqardhje e them se investitorë të rinj të huaj do të ketë më pak. Nuk kanë pse të vijnë në Shqipëri, kur vende të tjera të rajonit, si Kosova apo Maqedonia e Veriut, ofrojnë më shumë lehtësi dhe kushte më të favorshme për të bërë biznes. Kjo nuk vlen vetëm për investitorët e rinj, por edhe për ata që i kanë investimet aktive në Shqipëri. Kur kostot rriten dhe kushtet bëhen më pak konkurruese, është normale që kompanitë të rishikojnë planet e tyre dhe të konsiderojnë zhvendosjen e aktivitetit në vende të tjera”, vijon Adilardi.
Për Shqipërinë, sfida nuk është vetëm tërheqja e investimeve të reja, por edhe ruajtja e atyre ekzistuese. Një klimë fiskale më pak konkurruese rrezikon të ndikojë në të dyja drejtimet, duke dobësuar pozicionin e vendit në garën rajonale për kapitalin e huaj. (A2 Televizion)