Qytetarët janë kthyer në shembull, bizneset dhe ujësjellësit nuk paguajnë faturat e energjisë

Nga Marjo Brakaj
20 Tetor 2025, 14:18 | Ekonomi

“Duhet me qenë korrekt me ta se vijnë dhe i ndalin dritat. Më mirë shko paguaji, rri pa domate e speca”.

Një pjesë nga frika e të tjerë të ndërgjegjësuar, qytetarët shqiptarë po i paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike. Kjo ka bërë që detyrimet e prapambetura të abonentëve familjarë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të binin në gusht më pak se 44,5 miliardë lekë nga 45,5 në fund të vitit 2024.

“Këtë muaj pagova 80 mijë lekë. Kur marrim pensionin i heqim mënjanë ato për dritat se për t’u paguar janë. Na ndihmojnë pak edhe fëmijët”, shprehet një qytetar, shkruan A2.

Megjithatë, nuk mungojnë as qytetarët, kryesisht të moshuar, që e kanë të vështirë të shlyejnë faturat. Rrjedhimisht veç energjisë që harxhojnë, duhet të paguajnë edhe kamatëvonesat: “Kisha dy muaj pa paguar se nuk kisha lekë. Ato kalojnë me kamata e sot i pagova se nuk kisha ça bëja”.

E kundërta ndodhi me bizneset. Në fund të gushtit, vlera e faturave të prapambetura ndaj OSHEE u rrit në gati 10,5 miliardë lekë nga më pak se 10,4 miliardë në fund të vitit 2024.

Me gjithë reformat e ndërmarra e ndihmat e dhëna nga qeveria, institucionet jobuxhetore ku përfshihen ujësjellësat po vijojnë të mos paguajnë për energjinë e konsumuar. Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se detyrimet e tyre ndaj Operatorit të Shpërndarjes në gusht u zgjeruan në mbi 20,4 miliardë lekë nga 19,8 miliardë në fund të vitit 2024.

Për shkak të mospagimit në kohë, numri i faturave me kamatëvonesa në mars arriti në mbi 3 milionë, me vlerë 652 milionë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos