Raporti i BERZH, Shqipëria ka humbur 40% të popullsisë që pas viteve 1990

Nga Marjo Brakaj
28 Janar 2026, 12:48 | Ekonomi

Shqipëria ka humbur 40 për qind të popullsisë në tre dekada e gjysmë tranzicioni. Raporti i Tranzicionit 2025–26 i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim “Një botë e vjetër, por më e guximshme” (printscreen) e vë fokusin tek emigracioni, i cili është bërë mjaft shqetësues dhe nuk duket se po ndalet.

“Në shumicën e ekonomive postkomuniste, fertiliteti i ulët dhe emigracioni neto i lartë kanë qenë shkaqet kryesore të rënies së popullsisë. Në rastin e Shqipërisë, e cila përfitoi nga rritja e peshës së popullsisë në moshë pune deri në vitin 2023, kostoja e plakjes vlerësohet në 0.28 pikë përqindje, çka përkthehet në një rënie prej 0.53 pikë përqindje krahasuar me dividendin mesatar demografik të përfituar gjatë periudhës 2000–2023”, lexohet në raport.

Raporti nxjerr në pah se ky boshllëk i madh demografik po përkthehet në një frenim të ndjeshëm ekonomik për Shqipërinë: “Për periudhën 2024–2050, ndikimi pritet të thellohet në –0.3 deri –0.4 pikë përqindje në vit, duke e bërë Shqipërinë një nga ekonomitë më të ekspozuara në gjithë rajonin e BERZH. Edhe në horizontin 2050–2100, sinjali mbetet negativ, çka tregon se plakja e popullsisë dhe pakësimi i forcës së punës do të vijojnë të shoqërojnë ekonominë edhe në dekadat e ardhshme.”

Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuuesve në skemat sociale po e vendosin ekonominë nën presion të vazhdueshëm: “Në mungesë të rritjes së produktivitetit, investimeve teknologjike, rritjes së kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të klimës së biznesit, emigracioni masiv do të vazhdojë të frenojë rritjen ekonomike për të paktën edhe tre dekada”.

Përllogaritjet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e tranzicionit tregojnë se rreth 23 për iqnd e të arsimuarve nga vendi tashmë kanë emigruar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos