“Revolucioni teknologjik” nuk ul shpenzimet, gati 90 miliardë deri në fund të nëntorit për punonjësit e administratës

Nga Mario Brakaj
28 Dhjetor 2023, 14:42 | Ekonomi

Revolucioni teknologjik në ofrimin e shërbimeve publike, së afërmi edhe me “asistent virtual”, nuk po shoqërohet me ekonomizim të shpenzimeve për administratën. Për të paguar rreth 190 mijë punonjësit në shtet, deri në fund të nëntorit nga buxheti kanë dalë 89.7 miliardë lekë apo rreth 860 milionë euro.

Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se 77 miliardë lekë kanë shkuar për pagat dhe 17.7 miliardë për sigurimet shoqërore.

Pjesa e rritjes së pagave në mënyrë progresive, pa u shoqëruar me pjesën e asaj se sa i vjen kjo shërbimeve publike, korrupsionit dhe e-qeverisjes, natyrisht krijon probleme. Problemi është se qeveritë mënojnë si t’i qasen elektoratit dhe jo në afatgjatë”, u shpreh Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.

Si pasojë e reformës së pagave të nisur këtë vit e që pritet të përmbyllet gjatë 2024-s, shpenzimet për punonjësit e administratës publike në harkun e muajve janar-nëntor janë zgjeruar me gati 17 për qind krahasuar me 2022-shin. Në raport me 2019-n, shpenzimet janë rritur me 28.5 për qind.

Rritja e pagave e bazuar vetëm te vendime politike, pa analiza produktiviteti përcjell kosto ndër breza. Ne po i ndiejmë që tani. Po marrim borxh për të paguar personalin. Kjo është absurde”, tha eksperti.

Sikur të mos mjaftonte administrata tashmë fryrë, qeveria planifikon të zgjerojë më tej numrin e punonjësve në shtet vitin e ardhshëm. Administrata qendrore, ku përfshihet kryeministria dhe institucionet e varësisë pritet të arrijë në 85 mijë e 206 punonjës gjatë 2024-s nga 84 mijë e 762 aktualisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos