Turizmi rrit prenotimet në restorante edhe për festat e fundvitit në Sarandë

Nga Marinela Lina
24 Dhjetor 2023, 16:16 | Ekonomi

Me festat në prag, hotelet dhe restorantet në shumë qytete të vendit janë duke mbyllur prenotimet për fundvit. Çdo vit e më shumë, tendenca e shqiptarëve është që festat e fundvitit t’i kalojnë në restorante, pavarësisht inflacionit i cili përkthehet në kosto më të larta.

Për Krishtlindje apo dhe Vit të Ri, prenotimet janë bërë që në fillim të dhjetorit. Kujtim Dervishi, nga Shoqata e Bujtinave dhe Restoranteve, shprehet për A2 CNN: “Nga Korça, që para disa vitesh ka qenë e mbyllur nga prenotimet, tani është hapur Saranda në top list, risi sivjet është dhe Shkodra”.

Turizmi duket se ka dhënë rezultatet e veta, teksa përveç shqiptarëve, interes për të festuar ndërrimin e viteve në Shqipëri kanë treguar edhe të huajt: “Siç jeni në dijeni, Shqipëria pati një rritje marramendëse të turistëve, sigurisht edhe festat që presim falë rezultateve ka mjaft kërkesa në restorante bujtina, hotele, është risi ky vit sidomos në bregdet. Sivjet kërkesa është rritur me 30%. Kryesisht janë shqiptarët që vijnë nga emigracioni por dhe të huaj që kanë qenë gjatë verës”.

Por, sa do të kushtojë mesatarisht menuja e festave në restorante në prag të ndërrimit të viteve? “Tryezat e vitit të ri janë tradicionale nga 8-12% vjet, sivjet janë më të larta. Kuptohet ndikon rritja e rrogave, ecja, zhvillimi, kështu që dhe çmimet do rriten. E kanë marrë këtë rritje çmimet që prej luftës në Ukrainë”.

Si çdo fundvit, çmimet kapërcejnë edhe më tej, teksa tregtarët i rritin deri në dyfish më shumë. Inflacioni tek ushqimet në dhjetor pritet të kalojë 7,1%, ndërsa tek hotelet dhe restorantet mbi 4,3%. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos