Objektivi i qeverisë i vendosur që në fillim të vitit është arritur në dhjetor. Mbi 10 milionë turistë vizituan Shqipërinë, duke vërejtur kështu jo vetëm një turizëm sezonal, por gjithëvjetor. Lajmin e bëri të ditur kryeminstri Edi Rama në rrjetet sociale.
“Bashkë me Krishtlindjen kaloi edhe numri 10 milionë i turistëve të huaj në Shqipëri; një arritje fantastike e paimagjinueshme deri pak vite më parë. Gëzuar! 10 milionë e 11 mijë e 500 turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë deri mbrëmë”, shkroi Rama.
Ndalur sipas muajve, dukshëm sezoni veror tërhoqi më shumë të huaj, jo vetëm në zonat malore. Kulmin e arriti në muajin gusht, ku 2,8 milionë turistë vizituan Shqipërinë. Vilma Bello, zëvendësministre e Turizmit, u shpreh për A2 CNN: “Ka dhe shifra suprizuese që nuk kanë prekur vetëm bregdetin, por edhe pjesën malore. Shqipëria ka një diversifikim të paketës, gati 40% kanë vizituar veriun, malet, por në rritje janë edhe vizitat në zonat e mbrojtura”.
Në objektivat e qeverisë për vitin e ardhshëm, rritja e numrit të turistëve është parësore. Por, për të nxjerrë një numër të plotë të turistëve të akomoduar do të ngrihet një sistem statistikor që do të përfshijë edhe sektorin privat.
“Ndërhyrja pozitive për të ngritur një sistem statistikor me të dhënat ku edhe strukturat e sektorit privat të bëhen pjesë, ashtu siç edhe njësitë vendore do të hyjnë, pastaj të gjitha institucionet do të kenë një ndihmë të madhe në politikbërje me këto të dhëna”, deklaroi Bello.
Zëvendësministrja e Turizmit zbuloi për A2CNN edhe objektivin e qeverisë për vitin 2024: “Nëse do të bënim një parashkim, pse jo të kalojmë 10 milionë, shifrën e vitit 2023, por edhe 15 milionë mund të arrijmë vitin që vjen”.
Sipas zv/ministres Bello, një rol kyç vitin e ardhshëm pritet të luajnë ndryshimet në ligjin për turizmin pasi të hyjnë në fuqi, të cilat do të sjellin formalizimin e sektorit.
(A2 Televizion)