“Shtëpia mbetet një nga investimet më të rëndësishme në jetën e një individi dhe mënyra se si ndërtojmë sot, përcakton vlerën që do të ketë nesër”, u shpreh Jori Vila, themeluese dhe administratore e “Oz Marketing”.
Tregu shqiptar i pronave ka hyrë në një fazë të re zhvillimi. Ritmi i ndërtimit është rritur, investimet po zgjerohen përtej Tiranës drejt destinacioneve të reja urbane dhe turistike, ndërsa pritshmëritë për cilësinë e projekteve po bëhen gjithnjë e më të larta. I tillë është edhe “Blue Borgo”, projekti i ndërtuar mbi filozofinë e harmonisë mes natyrës dhe zhvillimit bregdetar të Velipojës, ku arkitektura nuk sfidon peizazhin, por bëhet pjesë e tij.
“Ky është ndryshim filozofie: nga ‘ndërto dhe shite’ në ‘krijo destinacion’. Në Shqipëri shumica e projekteve shesin apartamente. Ky model promovon stil jetese dhe akses në shërbime me 5 yje. Kjo ndryshon dinamikën e çmimeve, ciklin e të ardhurave dhe ndikimin social e ekonomik në zonën e Velipojës. ‘Blue Borgo’ gjeneron punësim, turizëm dhe ekonomi lokale afatgjatë. Pra, nga një zhvillim spontan dhe sezonal drejt një zhvillimi të planifikuar, të kontrolluar dhe me standarde ndërkombëtare. Koncepti “Blue Borgo” parashikon një ekonomi të qëndrueshme dhe turizëm 365 ditë të vitit dhe jo diçka sezonale”, tha Ledi Hysenj, administratore e “Blue Borgo” nga “Gener 2”, përcjell A2 CNN.
Në këtë realitet të ri, pyetja nuk është më vetëm sa ndërtohet, por çfarë vlere krijohet nga ajo që ndërtohet. Pikërisht për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve u rikthye në Tiranë Konferenca “Vlera e Pronës II”.
“Rritja e shpejtë e tregut e ka bërë të domosdoshëm një diskutim më të thellë mbi cilësinë e investimit, standardet urbane dhe mënyrën se si ndërtohen qytetet. Ndërtimi nuk është më vetëm një sektor ekonomik; ai është një faktor që përcakton strukturën e qyteteve, cilësinë e jetës dhe besimin e investitorëve në treg. Për këtë arsye, konferenca synon të krijojë një hapësirë dialogu mes industrisë, institucioneve dhe profesionistëve që ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si zhvillohet tregu i pronave”, theksoi Jori Vila, raporton a2 CNN.
Në një treg ku informacioni shpesh është i fragmentuar dhe transparenca mbetet sfidë, roli i të dhënave dhe analizës së tregut bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Kërko360, si sponsor gjeneral i konferencës, përfaqëson pikërisht këtë dimension të tregut.
“Kërko360” shërben si një “One Stop Shop” për klientët që janë vazhdimisht dhe aktivisht në kërkim të pronave në Shqipëri dhe jo vetëm”, u shpreh Miri Troka, drejtor i Përgjithshëm i “Kërko360”.
Konferenca “Vlera e Pronës 2” mblodhi rreth 300 pjesëmarrës, përfshirë zhvillues, kompani ndërtimi, arkitektë, agjenci imobiliare, banka, investitorë dhe përfaqësues institucionesh
“Konferenca organizohet nga “Oz Marketing” dhe këtë vit ka si Sponsor Gjeneral platformën e pasurive të paluajtshme Kërko360, ndërsa partnerë janë, Gener2, Knauf Insulation, Texas Development dhe Orion Construction. Së bashku, këto kompani përfaqësojnë disa nga hallkat më të rëndësishme të zinxhirit që krijon vlerë në tregun e pronave: informacionin dhe analizën e tregut, materialet dhe teknologjinë e ndërtimit, zhvillimin e projekteve dhe realizimin e ndërtesave”, theksoi Jori Vila.
Programi i konferencës u ndërtua për të ndjekur logjikën e plotë të krijimit të vlerës në pronë, duke kaluar nga ndërtimi dhe materialet e përdorura, tek planifikimi urban dhe arkitektura, dhe deri tek mënyra se si tregu imobiliar dhe investimet e reflektojnë këtë vlerë në treg. (A2 Televizion)