Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se “qeveria ka rritur mbështetjen e sektorit të bujqësisë”.
“Shohim shumë potencial te bujqësia. Tregu është këtu, konsumi është këtu. Nuk ka arsye pse mos të investohet dhe nuk ka arsye pse gjithë këto produkte që mund t’i prodhojmë lehtësisht në Shqipëri, t’i importojmë. Nuk bën sens”, tha ministri i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.
“Bujqësia ka një peshë të rëndësishme në prodhimin e brendshëm bruto, por edhe në punësim sepse rreth 40% e popullatës është e angazhuar në sektorin e bujqësisë. Qeveria ka rritur mbështetjen e këtij sektori, duke nisur që me skemën e subvencioneve, skemën e granteve, garancinë sovrane që u ofron fermerëve kredi të buta, prezantuam skemën e kompensimit të TVSH-së në bujqësi, është e ngjashme me skemën e Greqisë dhe Francës… Po t’i mbledhësh të gjitha bashkë, kemi një mbështetje këtë vit me rreth 100 milionë euro që i shkon sektorit të bujqësisë”, theksoi Petrit Malaj. (A2 Televizion)