Kur rrjedha ndryshon drejtimin, Shqipëria po bëhet destinacion për të huajt që kërkojnë punë

Nga Mario Brakaj
6 Gusht 2026, 14:26 | Ekonomi

Shqipëria po josh të huajt. Alessandro, një i ri italian nga Treviso është një prej tyre. Pasi ka siguruar kontratën e punës dhe lejen e qëndrimit, 30-vjeçarin me profesion inxhinier e takojmë në Zyrat e Punës në Toranë.

Alessandro, i ri italian, shprehet: “Më duhet të dorëzoj disa dokumente. Një pjesë janë të dhëna identifikuese e të tjerat të dhëna profesionale. Më herët isha te ambasada italiane. Pak orvatje për mua se jam rishtas në Tiranë, por që punonjësit janë treguar të gatshëm për të më ndihmuar.”

Sipas të dhënave nga Agjencia e Punësimit dhe Aftësive, vitin e shkuar numri i shtetasve të huaj të pajisur me leje pune arriti në gati 39 mijë. Kjo shifër është 10-fish më e lartë se në vitin 2020.

Armela Xhaho, eksperte e tregut të punës, thotë: “Janë kryesisht të punësuar në turizëm. Ka edhe një rritje të deklarimit të punonjësve të huaj si pasojë e frikës nga kontrollet.”

Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, pjesa më e madhe e punonjësve të huaj që kanë ardhur në Shqipëri deri më tani janë nga Kosova, Italia, India, , Filipinet dhe Egjipti.       

“Kjo është një zgjidhje afatshkurtër. Është një eksperiment, rezultat e të cilit janë treguar edhe më herët. Vëmendja jonë duhet të jetë te të rinjtë në vend. Ka edhe shumë kosto për sjelljen e tyre”, thotë Xhaho.

Veç atyre që vijnë për të punuar, vitet e fundit po ka një rritje të kërkesës për leje qëndrimi edhe nga ata që thjesht duan të jetojnë në Shqipëri. të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë se vitin e shkuar pati 19 mijë e 321 kërkesa për leje qëndrimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos