Paga mesatare në vend është rritur me rreth 8 376 lekë në harkun e një viti. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga 75 025 lekë në fund të vitit 2023, paga mesatare arriti në 83 401 lekë në tremujorin e katërt të vitit të shkuar.
Klajdi Bregu, ekspert për ekonominë, deklaroi për A2 CNN: “Ajo që po ndodh është kjo: nga njëra anë ne kemi qeverinë që bën shumë zhurmë për rritjen e pagave dhe pjesën më të madhe të shoqërisë që ndjen pak efekte. Rritja e pagës mesatare në këto nivele është hiçgjë. Do ta përmblidhja si “shumë zhurmë për hiçgjë”.
Zhurma më e madhe se të hollat që po hyjnë në xhepa pohohet edhe nga Alberta, një re e punësuar që shpreson në pasjen e një page 900 euro: “Unë jam 22 vjeç dhe kam mbaruar për “Graphic Design”. E kam nisur me një pagë minimale. Tani ka pasur një rritje të vogël, por në raport me jetesën marr aq pak sa nuk më mjafton. Nuk kam ndjerë ndonjë rritje të madhe rroge”.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se veçse anemike, rritja e pagës mesatare po shoqërohet nga një thellim i hendekut mes shtetit dhe privatit. Paga mesatare në administratën publike arriti në 100 mijë e 437 lekë, ndërsa ajo në privat vetëm 76 mijë lekë.
Emian Muçaj, eksperte e punësimit, shprehet: “Rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e politikës së ndërmarrë nga qeveria për të rritur pagat me qëllim frenimin e emigrimit. Gjithashtu, sot tregu i punës po vuan për punonjës, ndaj rriten pagat. Por, këto hendeqe veç shtetit dhe privatit nuk i bëjnë mirë tregut”.
Hendeqet ndërkohë janë thelluar edhe mes asaj që të punësuarit marrin në profesione të ndryshme. Sipas INSTAT, punonjësit e bankave dhe ata të kompanive të sigurimit patën pagën mesatare që në fund të vitit të shkuar kapi shifrën e mbi gati 163 mijë lekë, ndjekur nga të kualifikuarit në teknologji-informacioni me 121 578 lekë. Ndërkohë, në bujqësi që përbëjnë gati gjysmën e popullsisë paguhen mesatarisht me vetëm 54 411 që nëse i heqim sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, ajo që fermeri merr në dorë nuk i kalon 42 000 lekët. (A2 Televizion)