Do të kenë 97,7 miliardë lekë në dispozicion, bashkitë kërkojnë më shumë para për vitin e ardhshëm

Nga Marjo Brakaj
26 Nëntor 2025, 19:07 | Ekonomi

Për pagat e punonjësve, mirëmbajtur rrugët, ndërtuar çerdhe e kopshte apo të tjera nevoja, 61 bashkitë do të kenë në dispozicion 97,7 miliardë lekë nga 90 miliardë lekë gjatës 2025-s.

Qeveria do u japë pak më shumë se 46 miliardë lekë njësive të pushtetit vendor, ndërsa pjesën tjetër duhet ta sigurojnë vetë. Por, shoqatat dhe kryetarët e disa bashkive kërkuan në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat më shumë para në dispozicion, shkruan A2.

Adelina Farrici, Drejtoreshë te Shoqata për Autonominë Vendore, tha: “Kjo është e pamjaftueshme përballë detyrave që ka qeverisja lokale. Është vendosur një dysheme 1% në ligjin e financave lokale dhe ne gjithmonë kemi marrë vetëm 1%, pra duhet të rritet. Të ketë fonde shtesë për të rritur standardet apo shërbimet. Sa i takon grantit të performancës ai duhet të vazhdojë, dhe të futet si kriter edhe tek transferta e pakushtëzuar. Ka ardhur koha të rishikohet formula e transfertës së pakushtëzuar pasi kanë kaluar 10 vite nga reforma dhe kemi rezultatet e reja të censit”.

Fisnik Qosja, kryetar i Bashkisë Kavajë, deklaroi: “Kërkojmë krijimin e një fondi të veçantë për bashkitë rurale dhe malore. Ky fond duhet të marrë parasysh, si territori i gjerë, dendësia e ulët të popullsisë dhe kostot e larta të infrastrukturës. Pa këtë instrument të dedikuar, pabarazia territoriale do të thellohet edhe më tej. Bashkia Kavajë përballet me mungesë të theksuar fondesh veçanërisht në infrastrukturën rurale. Rrugët rurale mbeten prej vitesh një sferë e pazgjidhur për shkak të financimeve të pamjaftueshme. Ndonëse ato janë thelbësore për ekonominë lokale”.

Halli i pazgjidhur i kryebashkiakëve është shlyerja e detyrimeve të prapambetura, që shumica janë nga koha e ish-komunave, pra i takojnë ndarjes së vjetër territoriale.

Ilir Xhakolli, kryetari i Bashkisë së Pogradecit, deklaroi: “Pogradeci ka trashëguar pas reformës 6 milionë euro borxh me gjithë përpjekjet është përgjysmuar por ne nuk ja dalim dot sidomos ndaj tyre që janë fituar me vendime gjyqësore. Kemi 300 mijë euro në vit shlyerje detyrimesh, por ne nuk shlyejmë asgjë sepse vetëm shlyejmë borxhe që dalin nga vendimet gjyqësore. E kam ngritur zërin ka 6 vite, nuk mund të shkojnë dëm 300 milionë lekë. Dua mbështetjen tuaj, dua një grant nga qeveria sepse gabimi është bërë që me reformën territoriale”.

Madje, për të çliruar bashkitë nga borxhet kërkohet që edhe ato të përfitojnë nga “paqja fiskale”, për fshirje të borxheve më të vjetra se 10 vjet.

“Kemi shumë bashki me borxhe ende, dhe ne propozojmë që edhe ato të jenë pjesë e ‘Paqes Fiskale’, dhe tu falen borxhet e para 10 viteve”, tha Farrici. Fonde shtesë bashkitë kanë kërkuar edhe për përballimin e emergjencave civile, pasi janë shtuar fatkeqësitë natyrore.

Oltion Çaçi, kryetari i Bashkisë Sarandë, u shpreh: “Vitet e fundit emergjencat civile janë shumë të rëndësishme të paktën te ato bashki që ne drejtojmë në këtë vend. Kjo vjen si efekt i ndryshimeve klimatike, kemi prezencë të shtuar të zjarreve por dhe të përmbytjeve së fundmi, kështu që kërkojmë vëmendjen tuaj për të shtuar buxhetin, sigurisht për emergjencat civile”.

Në raport edhe me numrin e popullsisë, Tirana është bashkia që do të marrë më shumë para, mbi 6.5 miliardë lekë, ndjekur nga Durrësi me 2.5 miliardë, Elbasani 1.8 dhe Shkodra 1.7 miliardë lekë. Mbi 1.8 miliardë lekë do t’i jepen Fierit, ndërsa Bashkia Vlorë do të marrë mbi 1.6 miliardë lekë. Një copë të madhe nga torta e buxhet do të marrë edhe Bashkia Kamëz, mbi 1.5 miliardë lekë, ndjekur nga Korça dhe Lushnja.

Pusteci është ndërkohë bashkia që do të marrë më pak para nga buxheti i vitit të ardhshëm, vetëm 124 milionë lekë, ndjekur nga Libohova, Konispoli, Këlcyra dhe Dropulli. Pak para do të marrin edhe bashkitë Poliçan, Memaliaj, Fushë-Arrëz apo Finiq. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos