Dy muaj nga depozitimi i projektligjit të deputetes socialiste Blerina Gjylameti, Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme i kërkon Kuvendit të vendosë mbi propozimin për rivlerësimin e pronave me 3 nga 15 për qind aktualisht.
“Duhet një vendimmarrje. Drafti është depozituar më 15 maj. brenda 30 ditëve kohë legjislativi do duhej të kishte vendosur se çfarë të bënte me projektligjin”, shprehet Reinaldo Pipiria, drejtor Ekzekutiv i NAREA.
Në pritje të futjes së projektligjit në kalendarët e komisioneve parlamentare, përfaqësues të tregut ankohen se shitblerja e pronave veçanërisht në Tiranë ka ngecur. Nëse kjo vijon, sipas tyre humbjet ekonomike do të jenë të konsiderueshme.
“Vonesa në trajtimin parlamentar të këtij propozimi, mungesa e konkretizimit të tij dhe paqartësia për të ardhmen ka sjell efekte tepër negative në bllokimin momental të tregut. Gjatë 5 viteve të fundit, ashtu si pjesa tjetër e tregjeve, Shqipëria ka operuar në tregun e shitësit. Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të tij”, thotë Pipiria.
Në mesin e muajit maj, deputetja socialiste. Blerina Gjylameti depozitoi në Kuvend projektligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me vetëm 3 për qind deri në 31 qershor 2025. Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme kërkon ndërkohë që tatimi gjatë shitblerjes së pronave të ulet në vijim.
“Tatimi i të ardhurave nga shitja e pasurive të paluajtshme, “tatimi mbi fitimin kapital të realizuar” në masën 15% është provuar tashmë se ka disa efekte negative të drejtpërdrejta, në sektorin e Veprimtarive me Pasuritë e Paluajtshme i cili sot kontribuon 8-10% të GDP”, u shpreh drejtori.
Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash dhe të gjitha kanë ndodhur përpara zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme parlamentare, me tarifa që kanë variuar nga 1 për qind në vitin 2011 në 3 për qind dy rivlerësimet e fundit. (A2 Televizion)