Shkarkimet e padrejta nga puna, vetëm vitin e shkuar iu kushtuan shqiptarëve 1.4 miliardë lekë

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2023, 16:37 | Ekonomi

Shkarkimet e padrejta nga puna, vetëm vitin e shkuar iu kushtuan

Shpenzimet për të shlyer faturat gjyqësore për pushime të padrejta nga puna i kushtua shqiptarëve 1.4 miliardë lekë apo rreth 13.8 milionë euro vetëm vitin e shkuar. Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e dëmit, gati 78 për qind e totalit u shkaktua nga institucionet e pushtetit qendror.

“Njerëzit po vijojnë të hiqen nga puna për arsye politike. Gjykatat, në më të shumtën e rasteve gjejnë se shkarkimi ka qenë i paligjshëm. I dëmtuari merr rreth 12 paga dhe kjo shkakton një dëm të konsiderueshëm ekonomik për shtetin”, shprehet Gertiana Hasalla.

Historia politike dhe e punësimeve ka treguar se pas fushatës zgjedhore e në varësi të rezultateve shkarkimet e padrejta nga puna shtohen. Rotacioni politik pas zgjedhjeve të vitit 2013 i kushtoi shqiptarëve 3.38 miliardë lekë për shkarkimet e padrejta nga puna. Kosto për taksapaguesit kanë sjellë edhe vitet 2015, 2017 apo 2021.

Në total në 9 vite, nga arka e shtetit kanë dalë 15.4 miliardë lekë apo rreth 152 milionë euro për largimet dhe emërimet politike.

“Do të shohim që në disa bashki, militantë të njërës pari do t’i zënë vendin palës tjetër. Kjo ndodh rëndom. Ata që kanë qenë në punë me shumë gjasa më pas do të marrin”, shton Hasalla.

Për të dekurajuar vendimet joligjore të shkarkimit nga puna ka pasur disa propozime për të veshur me përgjegjësi titullarët e institucioneve. Të gjitha nismat deri më tani kanë mbetur pa u konkretizuar, pavarësisht edhe presionit nga Bashkimi Europian në kuadër të negociatave të integrimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos