Shqipëria bëhet aksionare në resortin e Jared Kushner në Sazan

Nga Marjo Brakaj
27 Qershor 2025, 15:11 | Ekonomi

Ishte më shumë se një vizitë turistike apo udhëtim rastësor. Kur Ivanka Trump dhe Jared Kushner, vajza dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, u panë në Vlorë, ardhja e tyre ngriti më shumë pikëpyetje sesa përgjigje. Por tani mozaiku është plotësuar. Vizita e tyre përkon me krijimin e kompanisë “Albanian State Development & Real Estate” – kompania që përfaqëson shtetin shqiptar si aksionar në resortin turistik që do të ndërtohet në ishullin e Sazanit.

Kompania është regjistruar më 26 qershor në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me kapital fillestar 50 milionë lekë dhe me administrator Julian Adilin. Ky i fundit është Drejtor i Divizionit Ligjor dhe të Pajtueshmërisë në Korporatën Shqiptare të Investimeve.

“Të sigurojë menaxhimin, zhvillimin dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurive të paluajtshme në pronësi, përdorim apo përgjegjësi administrimi të kompanisë, duke maksimizuar vlerën e tyre dhe duke garantuar përdorim optimal. Pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit në partneritete apo investime strategjike, si dhe në çdo rast të përcaktuar me vendim të organeve të shoqërisë, lidhur me projektin e investimit ‘Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit’ apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga AIC”, Albanian State Development & Real Estate.

Gjithashtu, “Albanian State Development & Real Estate” do të ketë të drejtën të planifikojë, projektojë dhe zbatojë projekte të rëndësishme ndërtimore, duke u fokusuar në zhvillimin urban.

Nga një ish-bazë ushtarake e kohës së komunizmit, Sazani është në prag të një transformimi rrënjësor. Një ishull i mbuluar prej dekadash nga heshtja, tani pritet të ndriçojë në hartën globale të turizmit elitar – mes interesave amerikane, pasurive shqiptare dhe sfidës për zhvillim të qëndrueshëm.

“Të planifikojë, projektojë dhe zbatojë projekte të rëndësishme ndërtimore me standarde të larta të cilësisë dhe qëndrueshmërisë, duke u fokusuar në zhvillimin urban, industrial dhe të teknologjisë së gjelbër, lidhur me projektin e investimit ‘Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit’ apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga AIC. Monitorimi i kontratave të lidhura mes AIC dhe palëve të treta në fushën e zhvillimit, menaxhimit dhe administrimit të pasurive të paluajtshme, lidhur me projektin e investimit ‘Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit’ apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga AIC”, "Albanian State Development & Real Estate".

Dhëndri i Donald Trump, biznesmeni Jared Kushner, e mori statusin e Investitorit Strategjik vitin e shkuar, në një vendim që mban datën 30 dhjetor 2024. Sipas këtij vendimi, investimi në ishull nga kompania e lidhur me dhëndrin e Donald Trump kap vlerën e 1.4 miliardë eurove dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8% të ishullit, ose në një sipërfaqe prej 45 hektarësh. Nga ky projekt pritet të punësohen mbi një mijë persona. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos