Komisionet parlamentare miratuan pa asnjë votë kundër nen për nen e në tërësi projektbuxhetin që tashmë pret kalimin në seancë plenare.
Komisioni i Ekonomisë pranoi edhe kërkesat e 19 institucioneve për shtim fondesh, kryesisht institucioneve të drejtësisë, por dhe në drejtim të sigurisë kibernetike.
“Në radhë të parë në Këshillin e Lartë Gjyqësor të shtohen shpenzimet kapitale me 133 milionë lekë, në programin buxhetin gjyqësor. Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë shtohen shpenzime korrente për mallra dhe shërbime me 5 milionë lekë, për akomodimin e të gjithë nevojave të institucioneve."
BLERINA GJYLAMETI - DEPUTETE E PARTISË SOCIALISTE
Edhe 3 projektligjet e paketës fiskale morën dritën jeshile në komisione, ndërsa u vendos shtyrja e projektligjit për ndryshimin e ligjit për “Taksat Kombëtare”.
Komisioni pranoi kërkesën e kompanive të sektorit të industrisë së prodhimit të çimentos, çelikut dhe ferro-kromit, për të shtyrë në kohë afatin për të rritur taksën e karbonit për qymyrin.
“Kemi diskutuar dhe pranuar argumentin që mund t’u jepet më tepër kohë kompanive për të marrë masat për të përdorur burime alternative.”
ERVIN METE - MINISTËR I FINANCAVE
“Është një ndotje shumë e madhe. Mendoj që koha që i është vënë në disapozicion për dy vjet e kusur në 2026 është shumë e gjatë për atë qëllim që ne kemi të godasim efektin e karbonit të rikuperojmë.”
ERION BRAÇE - DEPUTET I PS
Amendimet e bëra nga Partia Demokratike zyrtare janë rrëzuar të gjitha në votimin përfundimtar nen për nen.
Kërkesat për shtim fondesh, por dhe punonjësish arrijnë në 1.1 miliardë lekë. Pas miratimit në komisione, projektbuxheti 2024 do të kalojë për votim në Parlament në 7 dhjetor. (A2 Televizion)